Kancelari gjerman në Kiev, rithekson mbështetjen për Ukrainën

schedule12:18 - 15 Shkurt, 2022

schedule 12:18 - 15 Shkurt, 2022

Kancelari gjerman Olaf Scholz zhvilloi në Kiev bisedime me presidentin e Ukrainës Zelensky. Kancelari gjerman tha se Gjermania është pranë Ukrainës dhe e mbështet atë.

“Gjermania është pranë jush,” tha Scholz pas takimit gjatë një konference për shtyp. “Vendi im është i impresionuar nga lëvizja demokratike në Ukrainë dhe mbështet rrugën evropiane që ndjek ajo që nga viti 2014,” shtoi ai.

Ndihma financiare por jo armë

Kancelari Scholz vuri në dukje se Gjermania ka dhënë tashmë shuma të mëdha ndihme financiare për Ukrainën, për të ndihmuar në shmangien e atyre që ai i quajti “ndikimet e huaja”. Scholz njoftoi gjithashtu një hua të re prej 150 milionë eurosh për Kievin. Por nga ana tjetër kancelari shprehu gjithashtu kundërshtimin e vendosur të Gjermanisë për dërgimin e armëve vdekjeprurëse në Ukrainë.

Bisedime në Moskë

Pas vizitës në Kiev, kancelari gjerman udhëton për në Moskë për të zhvilluar bisedime me presidentin rus Vladimir Putin. Kancelari tha se ai do të theksonte në bisedimet me Putinin pasojat e rënda të çdo pushtimi, duke shtuar se Perëndimi është gati të vendosë “sanksione shumë të gjera dhe efektive”. Në të njëjtën kohë ai tha se Gjermania është e gatshme të zhvillojë me Rusinë dialog serioz mbi sigurinë evropiane.

“Nuk ka arsye të mira për aktivitetet në kufirin ukrainas,” tha Scholz. “Sovraniteti dhe integriteti territorial i Ukrainës nuk janë të negociueshme. Ne presim që Rusia të ndërmarrë hapa të qartë për të zgjidhur situatën”, – tha Scholz pas takimit në Kiev./DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!