Kancelari austriak takohet me Orban, disktutojnë për migrimin dhe luftën në Ukrainë

schedule15:03 - 28 Korrik, 2022

schedule 15:03 - 28 Korrik, 2022

Kancelari austriak Karl Nehammer është takuar me kryeministrin hungarez Viktor Orban në Vjenë të enjten, ku ata diskutuan migrimin dhe luftën në Ukrainë dhe pasojat e saj, sipas The Guardian.

Takimi i dy liderëve të Europës Qendrore erdhi vetëm disa ditë pasi një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Orban dha dorëheqjen në shenjë proteste ndaj asaj që ajo e quajti një fjalim “nazist” të mbajtur nga kryeministri hungarez.

Orban deklaroi se vendet me migrim në shkallë të gjerë nga jashtë zonave të Europës “nuk janë më kombe”. Nehammer u përpoq të tërhiqej shpejt nga komentet e diskutueshme të Orbanit, duke u thënë gazetarëve se ai ia kishte bërë të qartë Orbanit se “ne në Austri refuzojmë, dënojmë me termat më të ashpër, çdo formë banalizimi ose relativizimi të racizmit apo edhe antisemitizmit”.

Ndërsa Orban nuk i përsëriti në mënyrë eksplicite këto vërejtje në Vjenë të enjten, ai theksoi agjendën e tij kundër emigracionit dhe përsëriti atë që ai e sheh si nevojën për të mbrojtur kulturën e vendit të tij kundër ndikimit të jashtëm.

“Unë nuk dua që Hungaria të bëhet një vend imigrimi dhe nuk dua që migrimi të bëhet më i fortë në Hungari,” tha ai. “Këtë këndvështrim e kam mbajtur gjithmonë dhe do të vazhdoj ta bëj, kjo nuk ka bazë biologjike.

Kjo nuk është një çështje racore për ne. Kjo është një çështje kulture. Thjesht, qytetërimi ynë duhet të ruhet siç është tani.”

Nehammer, nga ana e tij, e përshkroi migrimin si një “sfidë” që duhet luftuar. Austria ka pranuar mbi 80,000 refugjatë nga Ukraina dhe rreth 30,000 kërkesa shtesë për azil gjatë gjysmës së parë të vitit, vuri në dukje kancelari, duke e quajtur mbërritjen e tyre “sfida me të cilat Austria po përballet aktualisht, përveç krizës energjetike, inflacionit dhe pandemisë.”

Për krahasim, Gjermania ka pranuar më shumë se 900,000 refugjatë nga Ukraina që nga shpërthimi i luftës.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!