Kanadaja ka hyrë në një fazë të re të përplasjes tregtare me Shtetet e Bashkuara, duke vendosur herët të martën tarifa hakmarrëse ndaj mallrave amerikane me vlerë 20 miliardë dollarë, ose 27.6 miliardë dollarë kanadezë.
Kundërmasat nisën të zbatohen në orën 00:01 sipas kohës lokale dhe janë të barasvlershme, “dollar për dollar”, me tarifat e vendosura nga SHBA-ja në bazë të Seksionit 338.
Sipas mediave të huaja, të përcjella nga Telegrafi, Ottawa ka vendosur tarifa në masën 15, 25 dhe 50 për qind ndaj importeve nga SHBA-ja. Masat prekin një sërë sektorësh të rëndësishëm, përfshirë çelikun, produktet e qumështit, pajisjet, makineritë bujqësore, letrën dhe produktet elektronike.
Vendimi i Kanadasë vjen pas dështimit të negociatave dypalëshe për tregtinë në fund të gushtit. Pas këtij zhvillimi, administrata e presidentit amerikan Donald Trump vendosi tarifa prej 50 për qind ndaj disa prej mallrave kryesore kanadeze.
Tarifat amerikane prekën çelikun, aluminin, lëndën e drurit dhe komponentët e automobilave, në kuadër të përdorimit të Seksionit 338, një dispozitë e legjislacionit tregtar amerikan që i jep presidentit kompetenca për të vendosur barriera tregtare hakmarrëse.
Nga ana tjetër, Kanadaja ka bërë të qartë se kundër-tarifat do të aplikohen vetëm për mallrat me origjinë nga Shtetet e Bashkuara. Ato nuk do të prekin dërgesat që ndodheshin tashmë në tranzit në momentin e hyrjes në fuqi të masave.
Përplasja tregtare mes dy vendeve fqinje është përshkallëzuar ndjeshëm gjatë administratës Trump, e shoqëruar nga raunde të njëpasnjëshme tarifash importi dhe masash kundërpërgjigjëse.
Trump ka kritikuar në mënyrë të përsëritur deficitin tregtar mes Kanadasë dhe SHBA-së, duke e cilësuar atë si një nga arsyet kryesore për vendosjen e tarifave. Presidenti amerikan ka pretenduar gjithashtu vazhdimisht se Ottawa po “mashtron” Shtetet e Bashkuara.

