Kanadaja ka pezulluar përdorimin e vaksinës Oxford-AstraZeneca për personat nën moshën 55 vjeç pas shqetësimeve se mund të shkaktojë mpiksje gjaku.
“Ekziston një pasiguri thelbësore në lidhje me vaksinën AstraZenecapër personat nën 55 vjeç duke pasur parasysh rreziqet e mundshme”, tha Shelley Deeks, nënkryetar i Komitetit Kombëtar Këshillimor për Imunizimin.
Deeks tha se rekomandimet e azhurnuara vijnë mes të dhënave të reja nga Europa që tregojnë se rreziku i mpiksjes së gjakut tani është potencialisht më i lartë seç mendohej më parë: një në 100,000 banorë.
Sipas të dhënave, shumica e pacientëve në Europë që zhvilluan një mpiksje të rrallë gjaku pas vaksinimit me AstraZeneca ishin gra nën moshën 55 vjeç, dhe shkalla e fatalitetit midis atyre që zhvillojnë mpiksje është deri në 40%.
AstraZeneca, e cila është autorizuar në më shumë se 70 vende, është një shtyllë e një projekti të mbështetur nga OKB i njohur si COVAX që synon të shpërndajë vaksinat në vendet e varfra. COVAX është bërë gjithashtu një mjet kryesor në përpjekjet e vendeve europiane për të përshpejtuar fushatën e vaksinimit.
Disa vende europiane që kishin pezulluar përdorimin e vaksinës për shkak të shqetësimeve se mund të shkaktonte mpiksje gjaku kanë rifilluar administrimin e saj pasi rregullatori i barnave të BE-së tha se vaksina ishte e sigurt.
Vaksina përdoret gjerësisht në Britani, në të gjithë kontinentin Europian dhe në vende të tjera, por shpërndarja e mëtejshme e vaksinës u pengua nga raportet e paqëndrueshme të studimit për efektivitetin e saj, dhe më pas për raportet e mpiksjes së gjakut te disa pacientë./abcnews.al