Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Kanadaja dhe India bien dakord të rinisin bisedimet tregtare pas dy vitesh tensione diplomatike

schedule22:24 - 23 Nëntor, 2025

schedule 22:24 - 23 Nëntor, 2025

Kanadaja dhe India kanë rënë dakord të rifillojnë bisedimet e pezulluara për një marrëveshje të re tregtare, bëri të ditur qeveria indiane të dielën. Vendimi vjen dy vjet pasi negociatat u ndalën për shkak të një përplasjeje të fortë diplomatike mes dy vendeve.

Kryeministri kanadez Mark Carney u takua me Kryeministrin indian Narendra Modi në një takim dypalësh në kuadër të samitit të G20-s në Johanesburg, Afrikë e Jugut.

“Unë dhe kryeministri @narendramodi u takuam sot në Samitin e G20 dhe nisëm negociatat për një marrëveshje tregtare që mund të më shumë se dyfishojë tregtinë tonë në mbi 70 miliardë dollarë kanadezë,” shkroi Carney në platformën X. “India është ekonomia e pestë më e madhe në botë, dhe kjo do të thotë mundësi të mëdha për punëtorët dhe bizneset kanadeze.”

Të dyja palët riafirmuan bashkëpunimin e tyre të gjatë në fushën e energjisë bërthamore civile dhe folën për zgjerimin e këtij bashkëpunimi, përfshirë edhe marrëveshjet afatgjata për furnizimin me uranium.

Rifillimi i bisedimeve tregon përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe, ndërsa Carney synon të zgjerojë lidhjet tregtare të Kanadasë përtej SHBA-së, partnerit më të madh tregtar të vendit. Ai ka premtuar dyfishimin e eksporteve kanadeze drejt tregjeve jo-amerikane në dekadën e ardhshme.

Kanadaja kishte pezulluar negociatat në vitin 2023, pasi qeveria kanadeze akuzoi Nju Delhin për përfshirje në vrasjen e një separatisti sikh kanadez — akuza që India i mohoi. Megjithatë, pavarësisht kësaj krize, tregtia mes dy vendeve ka vazhduar të rritet, edhe pse mbetet e vogël në raport me madhësinë e ekonomisë indiane.

Tregtia dypalëshe e mallrave dhe shërbimeve arriti rreth 31 miliardë dollarë kanadezë në vitin 2024, kryesisht në favor të Kanadasë për shkak të 16 miliardë dollarëve në eksporte shërbimesh. Në krahasim, tregtia e Kanadasë me Kinën ishte pothuajse katërfish më e madhe.

Marrëdhëniet mes Kanadasë dhe Indisë filluan të përmirësohen pas takimit mes Modit dhe Carney-t në kuadër të samitit të G7-s në qershor.  / abcnews.al /

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!