Hetimet e antidrogës kanë zbuluar se saisa prej kanabist që u kap në Kapshticë do të shkëmbehej në Turqi me drogëra të forta. Policia po vazhdon kërkimet për persona të tjerë të përfshirë në këtë trafik.
Kanabis i sekuestruar mbrëmjen e mërkurë në Kapshticë, do të shkëmbehej me drogë të fortë në Turqi. Kështu besojnë specialistët e Antidrogës të cilat kanë zbuluar një trend të ri të trafikimit të lëndëve narkotike nga Shqipëria.
Sasia mbi një ton kanabis u sekuestrua nga policia kufitare e Kapshticës. Ajo u zbulua në një kamion mallrash, që udhëtonte drejt Greqisë.
Informacionet e policisë për transportin e ngarkesës me drogë rezultuan të sakta, duke sjellë sekuestrimin e sasisë më të madhe të drogës gjatë viteve të fundit në këtë pikë doganore dhe çuan në pranga shoferin e kamionit dhe shoqëruesin e tij.
Procesi i skanimit dhe kontrolli me qen antidrogë, për kamionin me targë AA 874 UZ zbuloi lëndën narkotike, e cila ishte e ambalazhuar dhe fshehur në thasë.
Pas bllokimit të sasisë prej 1074 kg canabis, agjentët e antidrogës vijuan kontrollin edhe tek një tjetër kamion, që gjithashtu udhëtonte drejt Greqisë, por që rezultoi i pastër. Kamioni ku u gjet droga, i thanë ABC News burime nga grupi i hetimit, ishte nisur nga Tirana dhe kishte si destinacion përfundimtar Turqinë.
Por vazhdojnë hetimet për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në tentativën e trafikimit të ngarkesës me drogë. /abcnews.al