Nuk fitoi as këtë herë, dhe as nuk qe nevoja. Tadej Pogaçar ka objektiv kryesor të fitojë Turin e Francës, dhe jo thjesht etapa individuale, dhe dhe ai iu afrua edhe më shumë suksesit përfundimtar pas segmentit të 18-të.
Ishte Ben O’Konor që kurorëzoi një shkëputje prej 16 kilometrash në rrugëtimin ndoshta më rraskapitës të këtij edicioni, të gjatë 171.5 km, dhe me 3 ngjitje ikonike, që janë të kategorisë maksimale të vështirësisë.
Diferenca në lartësi arriti 5 500 metra, ndërsa mbërritja në Kurshevel ishte në lartësinë 2 304 metra mbi nivelin e detit, më e madhe e Klasikes franceze këtë vit.
Pikërisht në ngjitjen finale, në Kodrën e famshme, Kol de la Loze, u luajt ndoshta drama vendimtare e Turit 2025.
Ndërsa australiani O’Konor shkoi I sigurt drejt fitores së etapës, Vingegard provoi për herë të parafundit shanset e tij, duke sulmuar Pogaçarin.
Kampioni në fuqi I rezistoi ofensivës së parë, po ashtu përballoi edhe mësymjen e dytë të danezit.
Kur erdhën metrat e fundit, çiklisti slloven bëri sulmin e tij duke lënë rivalin e tij të madh 9 sekonda prapa.
Ky ishte ndoshta konfirmimi përfundimtar që 26-vjeçari do ta fitojë Turin për herë të katërt, dhe do ta mbajë deri në fund të veshur Fanelën e Verdhë.
Pogaçar ka 4 minuta e 26 sekonda avantazh ndaj Vingegardit, ndërsa mbetet edhe etapa e fundit malore, më pas një itinerar kodrinor, si dhe shëtitja në bulevardet e Parisit të dielën e 27 korrikut.

