Kampionet ndajnë medaljen e artë, australiania Kennedy dhe amerikania Moor fitojnë të dyja në Botëror

schedule18:56 - 24 Gusht, 2023

schedule 18:56 - 24 Gusht, 2023

Një garë e fortë dhe me përfundim të papritur ishte ajo e kërcimit me shkop për femra. Australiania Nina Kenedi shkaktoi një surprizë duke dalë përpara favorites, amerikanes Keti Mun, por në fund u dhanë dy medalje ari.

Të dyja vajzat kaluan të njëjtën lartësi, 4 metra e 90 centimetra, por Kenedi bëri një gabim më pak sesa rivalja e saj e madhe që është kampione olimpike në fuqi dhe që ishte kampionia e botës vitin e kaluar. Dy vajzat vendosën së bashku që ta ndanin medaljen e artë, edhe pse atë mund ta kishte marrë australiania.

Në 400 metra me pengesa për meshkuj, favoriti nuk lejoi asnjë të papritur. Kampion i botës doli norvegjezi, Karsten Varholm, që është edhe rekordmeni botëror. Ai triumfoi me 46”89 duke lënë pas pa shumë probleme rivalët. Varholm është tri herë kampion I botës, kampion olimpik dhe dy herë radhazi kampion I Europës. Pas tij, Mekmaster i Ishujve Virgjin britanikë dhe amerikani Benxhamin.

Norvegjezët gjithsesi u shtangën në garën që e mendonin të fituar, në 1500 metra për meshkuj. Jakob Ingebritsen, kampioni olimpik dhe i botës në fuqi, u detyrua të kënaqej me vendin e dytë, i lënë pas nga britaniku Xhosh Kerr. Koha fituese 3’29”38, ndërsa pas tij doli Ingebritsen me 27 të qindat vonesë dhe norvegjezi tjetër, Nordas. Siç thërret komentatori televiziv, “favoritët nuk fitojnë gjithmonë”.

Në 400 metra për femra, kampionia e botës në fuqi e mbrojti titullin. Fitoi atletja nga Republika Domenikane, Marileidi Paulino, duke lënë shumë prapa rivalet, e duke vendosur rekord kombëtar.  Medaljen e argjendit e mori polakja Kaçmarek dhe bronzin Uilliams nga Barbadosi.

SHBA vazhdon të kryesojë Botërorin me medalje, duke pasur 7 të arta, 4 argjendi dhe 3 bronzi, 14 gjithsej, e shkëputur thellësisht nga Spanja dhe Britania e Madhe. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!