Kampionët bëjnë detyrën/ Paris SG kualifikohet në Botërorin e Klubeve me fitore

schedule12:47 - 24 Qershor, 2025

schedule 12:47 - 24 Qershor, 2025

Kampionët e Europës e mbyllën siç u kishte hije. Paris SG e mori fitoren e pritshme ndaj skuadrës amerikane, Siatëll Saunders, dhe kaloi në raundin tjetër të Botërorit në vendin e parë në grupin B.

Pavarësisht humbjes së papritur në ndeshjen e kaluar kundër Botafogos, sërish francezët e morën veten dhe ia dolën me golat e shënuar nga talenti I madh gjeorgjian, Kviça Kvarackelia në 35’ dhe nga mbrojtësi I Marokut, Ashraf Hakimi në 66’.

Përballja u luajt thuajse në një krah të vetëm, edhe pse në shtëpinë e amerikanëve në stadiumin “Ljumën Fild” në Siatëll.

Përtej dëshirës së madhe të vendasve, diferenca në cilësi ishte e thellë dhe PSG mbajti topin 73 për qind dhe bëri dyfishin e gjuajtjeve.

Imagjinoni që Siatëlli nuk mundi të lëshonte asnjë goditje në kuadrat ndaj 7 të të besuarve të trajnerit Luis Enrike. Ndërkaq, Botërori I klubeve përfundoi me dramë dhe hidhërim për Atletikon e Madridit.

Skuadra e shquar spanjolle, që udhëtoi me pretendime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u eliminua vetëm për një gol, edhe pse fitoi kundër kampiones së Amerikës Latine, Botafogo.

Rrjeta e shënuar në 86’ nga Antuan Grizman nuk mjaftoi, sepse madrilenëve të vegjël u duhej fitorja 2-0. Ata patën pretendime të drejta për një penallti, që nuk u dha në pjesën e parë, ndërsa mediat spanjolle shkruajnë se Atleti mori edhe një goditje ekonomike duke humbur dhjetëra milionë euro.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!