Kampionati Kombëtar i Atletikës: Luiza Gega dhe Franko Burraj nuk kanë rivalë

schedule12:22 - 20 Maj, 2023

schedule 12:22 - 20 Maj, 2023

Fitues nuk ishin aspak surprizë.
Tirana për femra dhe Vllaznia për meshkuj dominuan kampionatin kombëtar të atletikës të zhvilluar për dy ditë me radhë në Elbasan.
Dy skuadrat e traditës ia dolën që të arrinin një tjetër fitore, që ishte e pritshme, ashtu siç ishin edhe triumfuesit individualë.

Në “Elbasan Arena”, atletët më të mirë u shpallën Luiza Gega për femra dhe Franko Burraj për meshkuj, me kampionen e Europës që mori 1153 pikë dhe me shkodranin që fitoi 1031 pikë.
Gega e Tiranës fitoi në garën e saj të përhershme 3 000 metra me pengesa, me kohën 9’36”58, dhe po ashtu ia doli në 10 000 metra.
Burraj, që është atlet i Vllaznisë, fitoi në 200 metra me 21”25, si dhe ndihmoi ekipin shkodran në stafetë.

Bie në sy fitorja e Bledar Mesit në 1500 metra dhe 3 000 metra me pengesa, që merr pjesë edhe në kampionatin e veteranëve, por që arrin të dalë i pari edhe tek të rriturit.
Për femra, Tirana la pas Skënderbeun e Partizanin, ndërsa për meshkuj Vllaznia doli e para ndaj Skënderbeut e Teutës./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!