Kampionatet U13 dhe U21: FSHF ul klubet në tavolinë, ja ç’u diskutua

schedule14:39 / 27/02/2020

Federata e Futbollit ka organizuar ditën e sotme në ambientet e “Air Albania Stadium”, një takim me klubet e Kategorisë Superiore dhe Kategorisë së Parë, ku kanë diskutuar mundësinë e krijimit të dy kampionateve të reja, për moshat U-13 dhe U-21, në nivel kombëtar.

Sekretari i Përgjithshëm i FSHF, Ilir Shulku, vlerësoi se organizimi i këtyre dy kampionateve do i jepte një fizionomi të re futbollit të të rinjve. “Çështja e parë e këtij takimi është organizimi i kampionatit kombëtar U-13 dhe i kampionatit kombëtar U-21 për sezonin e ardhshëm dhe është gjithmonë në kuadrin e diskutimit.

Pjesa më e madhe e Kategorisë Superiore, një pjesë e Kategorisë së Parë dhe disa nga akademitë e futbollit kanë firmosur një kërkesë për organizimin e këtyre dy kampionateve. Sot deshëm që të diskutojmë nga ana teknike dhe organizative si dhe ta hedhim si propozim.

Sot këtë propozim së bashku me ju, deshëm në parim ta diskutojmë, të shikojmë se kush janë të mirat, anët pozitive dhe ato negative. Nëse edhe ju mendoni që ky futboll të zhvillohet më shumë, atëherë te gjithë jemi dakord që propozimin që na ka ardhur nga ju ta bëjmë vendim dhe të fillojmë që vitin e ardhshëm me organizimin e këtyre kampionateve.

Ndoshta dhe për këto dy kampionate që ne po diskutojmë mund të jetë një pikë e fortë diskutimi, infrastruktura”, tha ndër të tjera z.Shulku. Anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF, Abdyl Kuriu theksoi se klubet i kanë të gjitha kapacitetet për organizimin e këtyre dy eventeve sportive. Ai e përkrahu propozimin e klubeve për organizimin e dy kampionateve të reja të moshave.

 

Drejtuesi i Sektori të Garave në FSHF, Lysien Nurishmi theksoi se këto kampionate synojnë të integrojnë talente të cilët mund të kenë të ardhme dhe karrierë në futboll. “Sa i përket kampionatit të moshës U-21, gjithë skuadrat e para kanë detyrim të kenë deri në 8 lojtarë të moshës U-21 dhe ky kampionat u vjen lojtarëve të cilët mbarojnë kampionatin U-19, pra që mos ta braktisin apo të luajnë në kategori inferiore në futboll, por të qëndrojnë sërish në ekipet tuaja. Pra këta lojtarë mos ta humbin mundësinë dhe largohen nga futbolli, duke mos gjetur hapësira në skuadra të tjera por të vazhdojnë serish aty ku ishin” theksoi Nurishmi.

Një temë tjetër e trajtuar në këtë takim me klubet ishte kërkesa e FSHF për mirëorganizimin e ndeshjeve dhe rritjen e imazhit të Kategorisë Superiore dhe Kategorisë së Parë. Sekretari i Përgjithshëm Shulku dhe drejtuesi i Garave Nurishmi theksuan nevojën e bashkëpunimit të klubeve në ngritjen e imazhit, duke punuar më shumë për mirëorganizimin e ndeshjeve. /fshf.org

 

Lysien Nurishmi dhe Ilir Shulku

schedule14:39 / 27/02/2020