Ish-trajneri i Kukësit dhe Luftëtarit, Mladen Milinkovic është tekniku më i mirë malazez i vitit 2020. Trajner i njohur në nëntor të vitit të shkuar u vendos në krye të Buducnost dhe i udhëhoqi ata drejt titullit kampion.
Pikërisht kjo arritje e ka shndërruar atë në më të mirin e vendit fqinj. Milinkovic ka të shkuar në futbollin tonë, ku ka drejtuar Luftëtarin në sezonin 2016-17 dhe Kukësin në vitin 2017 për disa muaj, pa arritur të lërë gjurmë te verilindorët.
Ai mori 38 vota nga kolegët dhe lojtarët e ekipeve, duke qenë i shkëputur nga pjesa tjetër e kandidatëve. Pas fitimit të këtij çmimi Milinkovic u shpreh se ishte i merituar, megjithëse s’do të ishte surprizë nëse e fitonte edhe dikush tjetër.
“Është nder i madh të marr këtë çmim, sidomos kur dihet që është nga kolegët dhe futbollistët. Nuk do të ishte e pamerituar nëse e merrte dikush tjetër, por ekipi i Buducnost aq superior këtë vit, sa ishte logjike ta fitoja unë”, u shpreh ndër të tjera 52-vjeçari. /abcnews.al