Kamëz, surpriza në KZAZ nr. 27 dhe 28

schedule17:32 - 30 Qershor, 2019

schedule 17:32 - 30 Qershor, 2019

Procesi i votimit në Bashkinë Kamëz është zhvilluar i qetë. Kamza numëron rreth 90 mijë votues gjithsej.

Për KZAZ  nr. 27, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, theksoi se kanë qenë 7512 persona që kanë votuar, por nga azhornimi më i fundit, i orës 17.00, kjo shifër është shtuar edhe me 600 votues të tjerë.

Në bashkinë Kamëz është edhe KZAZ  nr. 28 e Paskuqanit, me rreth 33 mijë votues gjithsej, por nga këta kanë votuar rreth 3100 persona.

Komisionerët që ndodhen brenda kanë patur pretendimet e tyre për numrin  e pjesëmarrësve në votime. Ata thonë se kanë qenë eksponentë dhe punonjës të bashkisë në Kamëz të cilët kanë qëndruar gjithë kohën në ambientet e jashtme të shkollës “Ibrahim Rugova”, që kanë bërë të mundur, pengimin  e votuesve, por pala tjetër ka pohuar të kundërtën dhe kanë deklaruar që nuk kanë qenë për të penguar por kanë qenë aty thjesht si vëzhgues.

Ajo që vihet re, duket me të vërtetë një numër i ulët i pjesëmarrësve në votime në këto dy KZAZ, krahasuar me vitet 2017 dhe 2015, por gjithsesi do jetë KQZ ajo që do të japë shifra zyrtare.

Në Bashkinë Kamëz pothuaj gjithë procesi vijon normalisht.

Duhet theksuar se pritshmëritë për Bashkinë e Kamzës kanë qenë të mëdha./ABC News Albania 24/7

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!