terapistes Belina Pupa është një histori e bukur, por edhe e mbushur me sfida. Ajo u largua nga Shkodra në nëntor të vitit 1998, vetëm 12 vjeçe, për t’iu bashkuar të atit në Shtetet e Bashkuara, së bashku me nënën dhe motrën. Emigrimi i dha familjes mundësi të reja, por solli edhe vështirësi në përshtatje, mes një kulture të re dhe mungesës së rrënjëve të përditshme të Shqipërisë. Megjithatë, siç thotë vetë Belina, familja e saj e mori kulturën shqiptare me vete dhe e trashëgoi atë kudo ku jetoi.
Historia e dashurisë me aktorin Vis Pupa nisi pas shumë vitesh, kur Belina u kthye në Shqipëri. Ishte 24 vjeçe kur u takuan për herë të parë në Shkodër dhe kaluan gjithë ditën bashkë, mes drekës, bisedave dhe njohjes së njëri-tjetrit. Ajo e njihte Visin nga roli i tij i Avdiut në spektaklin humoristik “Portokalli”, por lidhja e tyre u ndërtua larg kamerave, mbi sinqeritetin dhe transparencën.
Sipas Belinës, sekreti i një marrëdhënieje të fortë është të mos fshihen dobësitë dhe të mos përdoren ato kundër partnerit. “Sekretet të ndajnë, ndërsa sinqeriteti e mban gjallë lidhjen”, thotë ajo, duke shtuar se martesa nuk është thjesht një status, por një proces besimi të ndërsjellë. Për të, Visi është njëkohësisht partner, mik dhe njeriu që e ka ndihmuar të shijojë më shumë jetën.
Belina ka jetuar edhe tre vite në Tiranë, ku ka dhënë mësim dhe ka ndarë me studentët një mesazh të thjeshtë: të bëhen njerëz të mirë. Në fund të ditës, filozofia e saj e jetës mbetet e qartë besimi dhe shpresa janë forcat që e ndihmojnë njeriun të përmirësojë veten dhe të ecë përpara.



