Sondazh

Protestat e Sali Berishës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Kaloi perimetrin e sigurisë/ Vritet një person i armatosur pranë rezidencës së Donald Trump në Florida

schedule10:52 - 23 Shkurt, 2026

schedule 10:52 - 23 Shkurt, 2026

Një person i armatosur është qëlluar për vdekje pasi hyri në perimetrin e sigurisë së rezidencës Mar-a-Lago të presidentit amerikan Donald Trump, njoftoi US Secret Service.

Sipas autoriteteve, 21-vjeçari Austin T. Martin nga Karolina e Veriut mbante një armë gjahu dhe një bidon me karburant kur u ndalua nga agjentët e Shërbimit Sekret dhe një zëvendëssherif lokal. Ngjarja ndodhi rreth orës 01:30 me orën lokale të dielën, ndërsa presidenti ndodhej në Uashington DC.

Identiteti i tij u publikua nga rrjeti amerikan CBS, partner i BBC në SHBA. Sipas Moore County Sheriff’s Office, familja e të riut e kishte raportuar atë të zhdukur në orët e para të mëngjesit të së dielës. Autoritetet lokale bënë të ditur se nuk kishin të dhëna për precedentë penalë dhe se hetimi po zhvillohet nga autoritetet federale në Florida.



Zëdhënësi i Shërbimit Sekret, Anthony Guglielmi, deklaroi se i dyshuari u vu re pranë portës veriore të pronës duke hyrë në mënyrë të paligjshme në zonën e siguruar. Sipas Sherifit të Qarkut Palm Beach, Ric Bradshaw, efektivët i kërkuan atij të lëshonte sendet që mbante.

“E vetmja gjë që i thamë ishte ‘lësho sendet’. Ai uli bidonin e karburantit, por ngriti armën në pozicion qitjeje”, tha Bradshaw gjatë një konference për shtyp, duke shtuar se agjentët qëlluan për të “neutralizuar kërcënimin”.

Asnjë efektiv i forcave të rendit nuk mbeti i lënduar. Hetimet po zhvillohen me asistencën e FBI, ndërsa ende nuk është konfirmuar nëse arma ishte e mbushur me municion.

Drejtori i Shërbimit Sekret, Sean Curran, udhëtoi drejt Floridës për të shqyrtuar reagimin institucional pas incidentit.

Rezidenca Mar-a-Lago konsiderohet një nga objektet më të sigurta në SHBA, me një kordon të jashtëm të ruajtur nga autoritetet lokale dhe një të brendshëm nga Shërbimi Sekret. Trump ka qenë objekt i disa tentativave për atentat vitet e fundit.

Në korrik 2024, ai u plagos në vesh gjatë një tubimi në Butler, Pensilvani. Autori i dyshuar, 20-vjeçari Matthew Crooks, u qëllua për vdekje nga forcat e sigurisë.

Muaj më vonë, një agjent i Shërbimit Sekret zbuloi një pushkë të fshehur në shkurre pranë Trump International Golf Club. I dyshuari, Ryan Routh, u arrestua dhe u dënua me burgim të përjetshëm për tentativë atentati.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!