Kohë merkatoje dhe tashmë ka edhe shumë zëra për lojtarë të ndryshëm. Sherif Kallaku, i larguar nga Teuta një ditë më parë, po tentohet nga të tri klubet e kryeqytetit.
Partizani, Dinamo dhe Tirana duan ta huazojnë nga Lokomotiva e Zagrebit, që e ka edhe nën kontratë mesfushorin me tipare sulmuese.
Kroatët duhet të vendosin. Favorit mund të jenë “demat e kuq” që nga Lokomotiva në verë morën edhe Albion Markun në huazim.
Një tjetër emër në qendër të vëmendjes është Sabien Lilaj. Për të është thënë se ka akord me Dinamon, por “Panorama Sport” shkruan se për shërbimet e tij është futur në garë edhe Vllaznia.
Kuqeblutë po mundohen ta bindin mesfushorin korçar edhe përmes sulmuesit Liridon Latifi, me të cilin ai ka qenë shok skuadre te Skënderbeu në vitet e arta të bardhekuqve. / abcnews.al