Eksportet e zarzavateve kanë pësuar rënie për herë të parë së paku në 16 vite. Për shkak të mungesës së kërkesës nga jashtë zarzavatet janë kalbur në sera. Ministrja e Bujqësisë Frida Krifca në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese dhe Tregtinë ka deklaruar se në 2021 kemi rritje të vlerës së eksporteve me 14%. Ministrja theksoi se bujqësia nuk është vetëm zarzavate e këtu nënvizoi se kemi rritje në disa sektorë.
“Jemi duke e lidhur zinxhirin ushqimor, ndryshe sa i takon shifrave të bujqësisë, jemi me 14% rritje të vlerës së eksporteve në 2021. Kemi 4% rritje të frutave dhe -4% rënie të perimeve. Ne rritjen e kemi në produktet e përpunuara.
Në vlerë monetare ne kemi eksportuar 5 miliardë lekë. Ti po flet për zarzavatet unë po të flas për bujqësinë. Bujqësia nuk është vetëm zarzavate. Kemi 14% rritje nga viti më vit, kjo për të sqaruar publikun. Po rrisim kontrollin në fermë jo për t’ia vështirësuar jetën fermerit, ne duam t’ia thjeshtojmë për të rritur sigurinë ushqimore”, tha ministrja.
Lexo edhe: Krifca: Të edukojmë fermerin, “bllok” tregtimit të produkteve bimore që s’janë në listën e BE
Gjatë diskutimit në komision, Krifca tha se pas urdhrit të ministrisë që lejon në thertore vetëm veterinerët zyrtarë është katërfishuar numri i therjeve.
“Është nxjerrë një urdhër, kemi kryer një reformë veterinare. Kemi krijuar një autoritet kombëtar të veterinarisë që ka informacion real mbi atë çfarë ndodh me popullatën e kafshëve të gjalla në fermë. Në pjesën e thertoreve ne kemi nxjerrë një urdhër ministri që lejon që ka në thertore vetëm veterinerët zyrtarë. Nga 15 tetor kur urdhri ka hyrë në fuqi ne kemi parë katërfishim të urdhrit të therjeve në këto thertore. Është muaj më muaj krahasimi, tetor me nëntor, dhjetor me nëntor. Kjo ka ndodhur sepse kemi mundësinë të kemi kontroll mbi thertoret”, shtoi Krifca. be.k/abcnews.al