Salvador Kaçaj, ish-futbollisti i kombëtares, është një nga të ftuarit në emisionin “Pressing” në ABC News. I pyetur mbi situatën e kombëtares, ai tha: “E shoh në situatën e para tre viteve. Kemi ekipin e De Biasit akoma dhe jam i bindur për këtë gjë. Ky është ekipi i De Biasit, tetë lojtarë të formacionit janë të tij. Reja për mua nuk është trajner, është një pensionist.
Kur ndërtojmë grupin, duhet të ndërtojmë grup të ri. Ky trajner po bën një ekip të ri, kështu thuhej në fillim. Por Reja ka gjetur një bërthamë të ndërtuar. Këtë grup nuk po e ndërton Reja. Kush e mban përgjegjësinë për tre vitet që kombëtarja ishte e dobët? Kush e solli Panuçin këtu? E kemi thënë që në fillim se do ishte një dështim”.
“Më mirë të merrte Neptun Bajkon, në të njëjtën moshë janë. Reja nuk duhej marrë. Kishte tre vite që nuk kishte ekip. Për gjashtë muaj do drejtojë. Është 75 vjeç dhe nuk ka asnjë parametër të jetë trajneri i kombëtares. Duhet ta drejtojë një shqiptar. Tabarez mos e krahasoni me Rejën. A e dini kush është ai?”.
Andi Lila ndan mendim tjetër me Kaçajn: “Normalisht, me trajnerin De Biasi, skuadra e tregoi me vepra sa ishte rritur. Pasardhësi, Panuçi, duhet të vazhdonte me të njëjtën ecuri. Kjo gjë nuk ndodhi dhe erdhi Reja. Tha se është ekipi i De Biasit. Shumë mirë, shpresoj të shkojmë dhe me Rejën në Europian. Trajneri Reja më dukët shumë trajner i mirë, pozitiv, trajner që bën grupin. Nëse e bën këtë, gjithmonë do ketë sukses. Ne nuk do kemi kurrë, do doja, një lojtar që të marrë topin dhe ta zgjidhë i vetëm. Ylli ynë është grupi. Do të thotë që ky trajner ka mend në kokë. Kuzhe thoshte gjithmonë: ‘nuk ka lojtarë të rinj apo të vjetër, ka të mirë dhe të këqinj’. Disa lojtarë i ka ndryshuar, nuk mund të ndodhë direkt ndryshimi i brezave”. /abcnews.al