Ballkani është në garë për fitimin e dy kompeticioneve të futbollit dardan. Djemtë e Ismet Munishit kryesojnë në kampionat dhe ndodhen në gjysmëfinale të Digitalb Kupës, që rikthehet ditën e nesërme.
Skuadra nga Suhareka do të luajë ndeshjen e parë në shtëpi dhe përballë do të ketë Feronikelin, sfidë që nis në orën 16:00. Të dielën rinis kampionati (Ballkani pret Drenicën), ndërsa në 17 qershor zhvillohet sfida e kthimit për një vend në finalen e madhe të Kupës.
Trajneri i Ballkanit është i shqetësuar për vijimin e këtij sezoni futbollistik. Në një prononcim për Insport, Munishi thekson se nuk dëshiron të spekulojë, por nuk i pëlqen aspak kjo lloj atmosfere.
“Më shumë po më brengos mundësia e ndërprerjes së kampionatit . Nuk dua të spekuloj, por ka filluar t’i vijë era shumë. Jemi të shqetësuar pasi diçka është përgatitur, shpresojmë të jemi gabim“, deklaron trajneri i famshëm shqiptar. /abcnews.al