“Ka pasur gatishmëri nga grupet e opozitës”, Balla: Pres që PD të vijë në tryezën e bisedimeve, po mbaron afati

schedule11:01 - 13 Maj, 2022

schedule 11:01 - 13 Maj, 2022

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka pritur sot në kryesinë e Kuvendit dy nga grupet opozitare lidhur me negociata për Presidentin. Në orën 09:00, Balla zhvilloi një takim me Mesila Dodën dhe në orën 10:00 me Fatmir Mediun.

Pas përfundimit të takimeve, në një prononcim për mediet Balla bëri me dije se ka pasur gatishmëri nga ana e të dyja grupeve opozitare për të hedhur në tavolinë emra konkretë.

Balla i bëri thirrje edhe një herë PD që të ulen në tryezën e bisedimeve, pasi koha po mbaron. Në datën 16 maj është përcaktuar raundi i parë.

Lexo edhe: LIVE/ Kërkohet një President, PS jep “besën”, opozita pjesë e procesit: Çfarë po ndodh me negociatat

Balla: Bashkë me kolegët Gjiknuri dhe Sporolapli kemi zhvilluar një raund të dytë takimesh me 2 prej 3 grupeve të opozitës. Të dyja grupet që kemi biseduar ka pasur një gatishmëri për të hedhur në tavolinën e bisedimeve emra konkretë. Mediu na ka informuar edhe për një qasje për të ardhur me një emër apo disa emra konkretë nga ana e opozitës. Dua t’i them që vazhdoj të shpresoj që nga ana e grupit të PD të ketë një vendimmarrje për të ardhur dhe ta në tryezën e bisedimeve. Disponueshmëria jonë për t’i dhënë Shqipërisë një president jo të PS do vijojë të jetë dhe në ditët ne vijim por kjo ka disa afate. Në rast se deri tani kishim mundësi ti shtynim afatet tani s’kemi më asnjë mundësi. Në 16 maj është raundi i parë. Afati i fundit i raundit të dytë është 23 maj. Janë disa biseda shumë të frytshme, sot më në fund kemi arritur të vendosim piketa dhe shina të një procesi që mund të na çoj tek një president sa më konsensual. Ne nuk duam ta vrasim procesin, kjo do të ishte kundërshti e asaj që po flasim. Kemi rënë dakord që të ulemi në vijim.

Enkeljed Alibeaj, i pranishëm sot në kryesinë e Kuvendit, nuk pati takim me Ballën.

Si zgjidhet Presidenti?

Kushtetuta parashikon 5 raunde votimi për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Në tre raundet e para, Presidenti duhet të zgjidhet me 3/5 e votave, pra 84 vota. Sipas ndryshimeve të bëra së fundmi në Kushtetutë, në rast se në fund të tre raundeve nuk është zgjedhur ende një person, atëherë kalohet në raundin e katërt, ku Presidenti duhet të zgjidhet me 71 vota. Nëse në raundin e katërt njëri prej kandidatëve të mbetur në garë nuk siguron 71 vota, kalohet për votim në raundin e pestë, ku sërish duhen 71 vota. Nëse dështohet edhe në raundin e pestë, atëherë shpërndahet Parlamenti dhe shkohet në zgjedhje të parakohshme dhe do të jetë maxhoranca e re që do të zgjedhë Presidentin.  

/abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!