KOSOVË- Kryetari i Ardhmërisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, u kërkoi deputetëve të Kuvendit të nisin një mocion mosbesimi dhe të shkarkojnë qeverinë e Albin Kurtit.
Ai tha se Kurti ka mbjellë një pabesi të madhe ndaj aleatëve më të mëdhenj të Kosovës, përfshirë këtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që janë elementi kryesor që ka garantuar shtetësinë e Kosovës.
“Ne përballemi me Serbinë që prej se kur ekzistojmë, kemi pasur dhe kemi armiqësi dhe kjo nuk është diçka e re. Planet e tyre për pengimin e Kosovës i dimë mirë. Kemi të bëjmë me një: Mosbesim deri në pabesi, jo befasi. Kurti I sotmi, dikur kreu i VV, ka ngjallur, ka krijuar mosbesim të brendshëm dhe e ka ushqyer një mosbesim dhe është rritur me ketë mosbesim. E ka kultivuar një mosbesim edhe me aleatët. Kurti ka mbjell dhe ka nxit poshtërim të të gjitha figurave dhe vlerave të krijuara me mund. Kurti është synonim i poshtërimit deri në pabesi, ka poshtëruar aparatin shtetëror dhe ka poshtëruar edhe popullin e vet. Ka elemente të tradhtisë te mashtrimi i Kurtit. Ai po tenton t’i mashtrojë edhe aleatët e sigurisë, garantët e sigurisë tonë. Mashtrimet e tij janë tradhti e llojit të vet.Është detyra jonë e njerëzve të Kosovës që të reflektojmë se çka po na ndodhë; a duhet të lejojmë që të vazhdojë mosbesimi deri në pabesi ndaj aleatëve. Kush përfiton nga kjo pos Putini, armiqtë tanë, Serbia. Për këtë arsye ju propozoj deputetë të respektuar të shkojmë me mocion dhe ta shkarkojmë qeverinë Kurti, ta ndërpresim mosbesimim deri në pabesi e mashtrimin deri në tradhti””, tha ai./n.m.abcnews.al