Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste i bëri thirrje opozitës sot që ndërkohë që negociatat vijojnë, të tregohet bashkëpunuese. Ndërsa kujtoi se ka ligje që do të kërkojnë shumicë cilësuese, Balla kërkoi nga Grupi Parlamentar i PD-së që të “mos kompleksohet nga debati politik i ditës” dhe të shprehet në favor të nevojës për të bashkëpunuar.
“Jemi në atë fazë të procesit ku çdo shqiptar duhet të ndihet evropian….Një gjë është e sigurt, nga ky moment nuk ka më asnjë dyshim që Shqipëria do të jetë anëtare e BE. Kuvendi i Shqipërisë ka një detyre specifike, i propozoj opozitës që për çështje që lidhen me integrimin në BE, në të kemi dakordësi. Të mos kompleksohemi nga debati politik i ditës apo nga interesa të vogla politike…Shumë ligje do të kërkojnë 84 vota, është momenti i duhur që në emër të Shqipërisë evropianë, Grupi PD duhet të shprehet në favor të nevojës për të bashkëpunuar.
Nuk është herezi bashkëpunimi me shumicën…Shumë të gatshëm të hapim një debat për integrimit. Të fillojmë punën për ndryshmin e ligjit për rolin e Parlamentit në integrimin në BE. Ligji është tepër i vjetër për rolin që do të luajë Kuvendi, si udhëheqës në këtë proces. Ajo që besoj që ka konsensusin e plotë politik është nevoja të bëhemi bashkë që ta përfundojmë këtë proces.” /abcnews.al/