TIRANË- Posteri “provokues” i Belind Këlliçit, i vendosur së fundmi në hapësira publike në kryeqytet ka shkaktuar pakënaqësi të madhe tek qytetarët si dhe tek komunitetet fetare, të cilat e kanë dënuar gjestin.
Analisti Frrok Çupi, i pranishëm në studion e ABC News, u shpreh se ky akt është ofendim i pastër dhe shkelje e Kodit Zgjedhor. Sipas tij, akte të tilla janë të dhunshme dhe e kthejnë shoqërinë shumë shekuj pas.
“Kjo është një përdorimi I një gjuhe të pahijshme. Pavarësisht se është gjuha e trupit, është shkelje e hapur e Kodit Zgjedhor. Kodi Zgjedhor e parashikon propagandën, por e lejon në bazë të normave të caktuara. Kjo e kapërcen edhe Kodin Zgjedhor, e kapërcen edhe ligjin. Kjo shkel edhe mbi moralin. Kjo është e dhunshme, prindi ndihet keq para fëmijës, burri para gruas, i madhi para të voglit, dhe përgjithësisht është mesazh i keq që na jep politika”, tha ai.
Në pikëpamjen Çupit, kandidati për Tiranën i koalicionit “Bashkë Fitojmë” ka konsumuar vepër penale dhe si e tillë është e dënueshme nga ana ligjore.
“Për mendimin tim ka kryer një vepër penale, aq më shumë ka bërë propagandë fyese në mjetet e informimit publik. Kushdo mund të kryejë akte të turpshme për të tërhequr vëmendjen, marrëzia është më tërheqëse, i magjeps njerëzit. Po t’i shkojmë kësaj logjike, do të shkojmë në skuta shumë të errëta të shoqërisë. Kjo e trondit shoqërinë dhe e kthen në shekuj pas, dhe kjo godet vlerat e kombit, dhe godet gjithçka kombi ka të ndershme. Kjo fushatë ka dalë nga kontrolli i ligjit”, tha Çupi./n.m. abcnews.al