Ka ardhur koha që Perëndimi t’i tregojë “dhëmbët” Kinës

schedule19:09 - 3 Prill, 2021

schedule 19:09 - 3 Prill, 2021

Nga James Forsyth, Spectator

Kryeministri britanik Boris Johnson, thotë se është gabim të thuhet se Perëndimi ka hyrë në një Luftë të Re të Ftohtë me Kinën. E megjithatë, Kina është në shumë aspekte një armik më i frikshëm se sa ka qenë ndonjëherë Bashkimi Sovjetik. Ajo është më e integruar në sistemin tregtar botëror, dhe modeli i saj ekonomik ka më pak të meta.

Kjo i jep asaj një joshje tregtare në Perëndim, të cilën Bashkimi Sovjetik nuk e pati kurrë. Blerja e bizneseve dhe institucioneve perëndimore, shpjegon deri diku arsyen pse ekziston një hezitim i tillë në Britani, dhe në Perëndim në përgjithësi, për të pasur një qëndrim më të ashpër ndaj Pekinit.

“Çështja qëndron tek paratë. Gjatë Luftës së Ftohtë nuk kishte një problem të tillë”-ankohet një ministër i kabinetit britanik. E megjithatë, vitin e kaluar Kina ka bërë një seri gabimesh taktike. Më e fundit ishte vendosja e sanksioneve javën e kaluar mbi politikanët e BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar që janë më kritikë ndaj Partisë Komuniste Kineze.

Kjo lloj sjellje agresive, e bën më të mundur një kundërpërgjigje të unifikuar nga bota demokratike. Deng Xiaoping, që udhëhoqi modernizimin e ekonomisë kineze në vitet 1980, deklaroi se Pekini duhet “të fshehë kapacitetet e veta, dhe të presë kohën e tij”.

Kjo strategji u tregua të ishte jashtëzakonisht e suksesshme. Perëndimi zgjodhi t’i interpretojë si “dashamirëse” veprimet e Kinës. Edhe kur Pekini u largua nga qasja “fshihu dhe bindu”, Perëndimi ishte ende i etur për ta parë Kinën më shumësi një mundësi sesa si një kërcënim. David Cameron dhe George Osborne u përpoqën të krijonin një “epokë të artë” të marrëdhënieve Britani-Kinë.

Shpresa ishte që të qenit “partneri më i mirë i Pekinit në Perëndim”, do t’i sillte investime të shumta Britanisë së Madhe. Por që nga nisja e pandemisë së Covid-19, Kina i ka zbuluar qëllimet e saj të vërteta dhe e ka bërë në një mënyrë që e ka bërë shumë më të vështirë injorimin nga Perëndimi.

Tregimi i muskujve ndaj Kinës, ka qenë “oportuniste, dhe jo strategjike”sipas një ministri të kabinetit Johnson. Ka shenja që kjo qasje luftarake, mund të ketë nxitur efektin e kundërt. Ajo ka ndërgjegjësuar Perëndimin mbi natyrën e regjimit të Xi, dhe e ka vënë në rrezik marrëveshjen ekonomike që Kina arriti me Bashkimin Evropian në fund të vitit të kaluar.

Nën presidentin Xi Jingping, Kina ka qenë më konfrontuese. Kjo ka qenë veçanërisht e vërtetë që nga shfaqja e Covid-19. Ne kemi qenë dëshmitarë të nënshtrimit të Hong Kongut, kërcënimeve ushtarake ndaj Tajvanit, dhe presioneve ekonomike ndaj Australisë.

Është e vështirë të mos mendosh se në aspektin strategjik ky ka qenë një gabim i Kinës. Siç thotë edhe një zyrtarët që është afër diskutimeve se si duhet trajtuar Kina:“Sikur Kina të priste edhe 10 vjet, ne nuk do të ishim në gjendje të reagonim. Varësia jonë do të kishte qenë shumë e madhe. Nuk do të kishte pasur asnjë mundësi për të dalë nga ajo varësi. Por duke lëvizur më herët, kinezët na kanë dhënë një shans”.

Një ministër i kabinetit qeveritar britanik,bie dakord me këtë analizë:“Kinezët kanë depërtuar me shumë fshehtësi dhe delikatesë në shumë institucione. Ata janë thuajse shumë të mëdhenj për t’u hequr qafe”. Javën e kaluar, SHBA-ja, BE-ja, Britania dhe Kanadaja, vendosën sanksione ndaj Kinës për abuzimet me të drejtave të njeriut në Xinjiang.

Pekini zgjodhi të kundërpërgjigjet në mënyrën tipike të “ujqërve luftëtarë’. Por duke zgjedhur të rrisin rëndësinë diplomatike të çështjes së myslimanëve ujgurë, ata e kanë bërë më të mundshëm unitetin e ardhshëm të Perëndimit.

Tek e fundit, kjo është një çështje mbi të cilën fuqitë perëndimore e kanë të lehtë të bien dakord. Sanksionet e Kinës ndaj 5 eurodeputetëve, janë pritur shumë keq. Ky vendim shton gjasat që parlamenti Evropian të mos e ratifikojë Marrëveshjen e Investimeve BE-Kinë.

Kina beson se është mjaftueshëm e madhe dhe se tregjet e saj janë mjaftueshëm fitimprurës, saqë përgjigjja e saj e ashpër do t’i bëjë njerëzit ose të binden, apo më mirë akoma, t’i bëjë ata paraprakisht të bindur. Siç më tha një nga deputetët e prekur nga sanksionet e Pekinit, qëllimi i Kinës është të krijojë një “hije të së ardhmes”:t’i bëjë njerëzit të shqetësohen se si jeta e tyre mund të ndikohet nga kritikat që bëjnë sot ndaj Pekinit. Vendimi për të vendosur sanksione ndaj një morie figurash të administratës Trump në ikje, kuptohet më mirë nën këtë kontekst.

Ky vendim synon të shqetësojë zyrtarët amerikanë, se si pasja e një qëndrimi të ashpër ndaj Pekinit mund t’ua vështirësojë jetën edhe pasi të largohen nga detyra. Dhe është shqetësues fakti kur funksionojnë këto taktika ngacmuese. Një nga organet britanike ndaj të cilit Pekini vendosi saksione javën e kaluar ishte Dhoma e Gjykatës së Essex, që ka reaguar duke hequr nga faqja e tij në internet një referencë ndaj mendimit që e zemëroi Pekinin, dhe duke lëshuar një deklaratë ku thekson se askush përveç avokatëve të përmendur në atë dokument nuk kishte ndonjë rol në hartimin e tij.

Ky reagim pozitiv do ta inkurajojë Kinën të përpiqet të shtrojë presion ndaj organeve të tjera. Kina dëshiron që t’i zgjedhë kundërshtarët e saj. Këtë gjë mund ta pengojë vetëm një përgjigje e unifikuar perëndimore, por që shumë shpesh ka munguar.

Kur Pekini nisi të shantazhonte Australinë, vetëm pse sugjeroi se duhet të kishte një hetim të pavarur mbi origjinën e koronavirusit, pati një mungesë tronditëse solidariteti nga Zelanda e Re. Ministri i Tregtisë në Uellington, që po negocionte një marrëveshje të re tregtare me Kinën, tha se Australia duhet të “tregojë respekt” ndaj Kinës.

Zelanda e Re eksporton tani pothuajse gjysmën e mishit dhe leshit në Kinë. Për këtë arsye, duhet të ngrihen struktura të posaçme për të siguruar një reagim të përbashkët kundër shantazheve të Kinës. Ekonomisti amerikan Robert D.Atkinson, thotë se ajo që nevojitet është një NATO për tregtinë.

Kjo do të siguronte një përgjigje kolektive ndaj përpjekjeve kineze për të frikësuar anëtarët e saj. A do ti rriste Kina tarifat për verën e Australisë, nëse do ta dinte se do të kishte sjellë një reagim nga dhjetëra vende të tjera?

Nëse vendet perëndimore duan vërtet ta zvogëlojnë varësinë e tyre nga Kina, ato duhet të veprojnë së bashku për t`u siguruar që kur të vijë teknologjia 6G, të mund të konkurrojnë me kompaninë Huawei. Në Britani, qeveria duhet të sigurojë që politika e saj e re, të parandalojë që kompanitë e kontrolluara direkt ose indirekt nga shteti kinez të blejnë kompanitë e shkencës dhe teknologjisë dhe pronën e tyre intelektuale.

Në të njëjtën kohë, vendet perëndimore duhet të jenë shumë më realiste mbi atë që po përpiqet të bëjë Kina me bashkëpunimet arsimore si Institutet Konfuci. Suedia ka vendosur t’i mbyllë ato, dhe kjo mund të jetë mënyra e vetme për t’u përballur me këtë problem.

Kur Kina u pranua në Organizatën Botërore të Tregtisë në vitin 2001, shpresa ishte që integrimi më i madh ekonomik i vendit, të çonte përfundimisht tek liberalizimi politik. Kjo shpresë është zhdukur tashmë. Në vend të saj, agresioni i Pekinit po e bën të pamundur që bota e lirë të injorojë kërcënimin ndaj vlerave të tij.

Sanksionet e përbashkëta ndaj zyrtarëve kinezë për shkak të mënyrës se si po trajtohen myslimanët ujgurë, ishte hapi i parë i rëndësishëm në qasjen e ashpër të Perëndimit kundër Pekinit. Tani duhet të ndërmerren veprime për të parandaluar që shoqëritë e lira të shantazhohen ekonomikisht nga Kina. Boris Johnson duhet të përdorë samitin e G7 në Cornwall këtë qershor për të propozuar një plan për mbrojtjen ekonomike kolektive.