Juventusi pret Atletikon sonte në orën 21:00, në një sfidë vendimtare për kualifikimin në çerekfinale të Championsit. Skuadra spanjolle jepet favorite pas fitores 2-0 në ndeshjen e parë
Gjithë shpresa duket se është tek ai. Juventusi pret që Cristiano Ronaldo ta udhëheqë drejt një përmbysjeje të madhe në Champions ndaj Atletikos, dhe superylli portugezi di sesi shënohet kundër madrilenëve. Ronaldo shënoi 22 gola në 31 ndeshje ndaj Atletikos, kur ishte tek Reali, disa prej tyre pikërisht në Ligën e Kampionëve, ndërsa fitoi gati gjysmën e përballjeve.
Italianët do të luajnë sonte në orën 21:00, në Torino, pas humbjes 0-2 në Madrid, diçka që e vështirëson shumë kalimin në çerekfinale, por CR7-ta mbetet me besim të plotë.
“Fituam Superkupën ndaj Milanit, jemi në krye të kampionatit, dhe objektivi ynë, natyrisht, është edhe Championsi, – tha ai, – Jemi të përqëndruar vetëm tek Atletiko. Ne jemi të fortë dhe kemi besim. Duhet të jetë një mbrëmje speciale. Tifozëve dua t’u them që të mendojnë vetëm në mënyrë pozitive, është e mundshme, por kemi nevojë për mbështetjen e tyre”.
Kampionët e Italisë, sidoqoftë, do të jenë pa Douglas Costa-n, po ashtu do të mungojnë Khedira, Barzagli, De Sciglio dhe Cuadrado.
Trajneri juventin, Allegri, gjithsesi, nuk mendon për problemet.
“I kemi mundësitë për përmbysje, – thotë tekniku, – nëse ia dalim, do të jetë një sukses i jashtëzakonshëm, ndonëse duhet të jemi të kujdesshëm dhe të zgjuar. Nuk dua të dëgjoj se kjo është ndeshja e vitit, sepse do të na prishte punë. Atletiko është një nga skuadrat më të forta të Europës në 10 vitet e fundit, por edhe ne jemi Juventusi dhe duam të realizojmë objektivin”.
Atletiko zbriti në Torino, gjithashtu me besim. Nën drejtimin e trajnerit Simeone, spanjollët po zhvillojnë një sezon pozitiv, duke qenë të dytët në kampionat, dhe pranë çerekfinaleve. Me lojtarë të rëndësishëm si Grizman, Koke, Morata apo portieri Oblak, madrilenët kanë potencial të madh, ndërsa lajmi i mirë është kthimi i mbrojtësit Godin.
Mungesat e vetme të rëndësishme janë ato të Filipes, Lucasit e Diego Costa-s.
“Nuk kemi asgjë të garantuar për kualifikimin, – janë fjalët e argjentinasit, – sot luajmë pjesën e dytë të së njëjtës ndeshje, dhe duhet të jemi me kokën ulur e me këmbët në tokë. Juventusi është një skuadër e madhe, dhe nuk është vetëm Kristiano Ronaldo, por ka edhe shumë kampionë të tjerë. Kemi një avantazh, por asgjë më shumë, ndërsa synimi ynë është që të kualifikohemi patjetër”.
Atletiko jepet favorite për t’u kualifikuar, ndërsa ndeshja do të jetë e veçantë për Alvaro Morata-n, lojtar i Juventusit për dy sezone, gjatë të cilave fitoi dy tituj dhe arriti një finale Championsi./abcnews.al

