Juventusi s’heq dorë nga mesfushori i Italisë, Interi piketon një algjerian

schedule11:21 - 26 Shkurt, 2021

schedule 11:21 - 26 Shkurt, 2021

Merkato e verës është larg, por puna e drejtuesve të klubeve nuk mbaron kurrë. Juventusi nuk heq dorë nga Manuel Locatelli, teksa Interi ka piketuar një përforcim për repartin e mbrojtjes.

Mesfushori italian po bën shumë mirë te Sassuolo dhe ia ka dalë të fitojë një post titullari te kombëtarja italiane. Ish-milanisti është rritur shumë prej momentit kur u transferua te Sassuolo (2018).

 

Manuel Locatelli

Andrea Pirlo e pëlqen shumë 23-vjeçarin. Juventusi e tentoi edhe verën e kaluar, por nuk ia doli të sigurojë shërbimet e tij. Sassuolo është e prerë dhe kërkon 35 milion euro për ta lënë të lirë.

Çmimi mund të rritet nëse Locatelli bën mirë me Italinë në Euro 2021 dhe Juventusi po punon për të gjetur një marrëveshje me klubin italian dhe vetë lojtarit.

Edhe Interi aktiv në merkato. Drejtuesit zikaltër kanë hedhur sytë nga La Liga. Aissa Mandi është pjesë e Betis, po zhvillon sezonin e fundit me skuadrën andaluziane dhe do të dalë lojtar i lirë në verë.

29-vjeçari aktivizohet në qendër të mbrojtjes, por mund të luajë pa probleme edhe në të dy krahët e repartit defensiv. 59 ndeshje dhe 1 gol numëron me kombëtaren e Algjerisë, teksa për lojtarin ka interes edhe nga Liverpool. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!