Juventusi pret Real Madridin në Torino

schedule13:40 - 3 Prill, 2018

schedule 13:40 - 3 Prill, 2018

Juventus-Real Madrid është sfida më e madhe e çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve. Dy emrat e mëdhenj ndeshen sonte në Torino, dhe spanjollët cilësohen si favoritë për kualifikimin.

Kështu duan të jenë kurdo, përmbi re. Futbollistët e Realit jo më kot janë kampionë të Europës, dhe veten e mendojnë mbi gjithë të tjerët. Të vënë në dyshim të fortë në ligën spanjolle, madrilenët duan të tregojnë epërsinë e tyre në Champions, ndërsa luajnë ndeshjen e parë çerekfinale në fushën e Juventusit.

Përqëndrimi i ekipit spanjoll u duk i plotë, në udhëtimin drejt stadiumit “Alianc Arena”, ku u përgatitën për herë të fundit për sfidën që i pret. Trajneri Zinedin Zidane e pa të arsyeshme t’u fliste kampionëve të tij. Francezi dha këtë mesazh motivues.

Zinedine Zidane: “Ju e dini që ky është futboll, e kemi bërë gjithnjë. Të jemi të gjithë të bashkuar, shumë të fortë. Na duhet të jemi të përqëndruar, sikur po luajmë një finale. Ne na kënaq vetëm të fitojmë tituj dhe të tregojmë se jemi më të mirët”.

Trajneri francez, ish-lojtar i Juventusit për 5 vjet, vlerëson kundërshtarin si shumë të fortë, dhe tregon se çfarë duhet të bëjë ekipi i tij për t’ia dalë.

Zinedine Zidane: “Duhet të zhvillojmë një ndeshje të mirë, kjo është e vetmja porosi e imja për lojtarët. Kështu kemi bërë gjithnjë dhe mendoj se jemi të përgatitur për ta bërë. Gjithsesi, këto ndeshje nuk kanë të bëjnë aspak me atë që ndodhi disa muaj më parë. Ajo që shkoi, shkoi, ndaj duhet të mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës. Nuk mund të spjegoj se përse Reali ka fituar 2 finalet ndaj Juventusit, ndërsa është eleminuar kur ka luajtur dy ndeshje. E them sërish se mendoj vetëm për ndeshjen e radhës”.

Harmonia në ekip mendohet të jetë vendimtare në nivele të tilla, por tek Reali ka një çështje “Isko”, me lojtarin që ankohet se luan pak.

Zinedine Zidane: “Isko është një lojtar shumë i rëndësishëm për mua. Ndoshta, është më ndryshe në kombëtare sepse në një vit atje luhen 8 ndeshje, ndërsa tek Reali luhen 60 takime, shpesh herë një herë në tri ditë. Koncepti im është që nuk ka titullarë dhe rezerva, kam 25 lojtarë që për mua janë të gjithë njësoj, dhe uroj që edhe futbollistët të mendojnë kështu”.
S

fida e dyfishtë është padyshim një klasike europiane. Rivalët janë ndeshur shpesh që nga fillimi I viteve 60-të, dhe bilanci i tyre është thuajse i barabartë, në gjithçka.

Ka një dallim, sidoqoftë. Reali i ka fituar të dyja finalet mes tyre, në 1998 dhe në 2017. Nga ana tjetër, Juventusi është kualifikuar katër herë kur duelet kanë qenë me dy ndeshje. Kampionët e Italisë mund të thuhet se vijnë në përballje në momentin më të mirë. Të rikthyer në krye të Serisë A, madje me diferencë me Napolin, dhe finalistë të Kupës së Italisë. Shqetësimi i vetëm është loja jo edhe aq bindëse, siç ndodhi ndaj Totenhemit apo Milanit. Trajneri Alegri, sidoqoftë, kërkon vetëm një gjë nga lojtarët e tij.

Massimiliano Allegri: “Kemi përballë skuadrën që luan pa ndërprerje në Champions që nga viti 1996, që arrin të paktën në gjysmëfinale që nga viti 2011, dhe që është më e forta dhe favorite në Champions. Duhet të kemi ambicien që të luajmë si të barabartë dhe që ta mundim. E kemi studiuar finalen e humbur në Kardif, dhe duhet të jemi më të fortë psikologjikisht. Tani është ndryshe, pasi luhet me dy ndeshje, ndaj dhe duhet të mbetemi në lojë deri në fund, pasi kualifikimin duhet ta marrim në Madrid”.

Një nga shtyllat juventine, Xhorxho Kielini, ka besim pavarësisht nga ajo që ndodhi në Kardif.

Giorgio Chiellini: “Nuk mund të flasim për hakmarrje, pasi gjithë këta vjet kemi fituar dhe jemi mundur me gjithë ekipet e forta. Duam të fitojmë sepse duam të fitojmë Championsin, dhe që ta bësh këtë, do të duhet të përballesh me Barcelonën, Realin apo Bajernin. Kemi përballë një nga dy ekipet më të fortë të botës, kemi respekt për Realin që ka në ekip mbrojtësin më të fortë të botës, Sergio Ramosin, dhe sulmuesin më të mirë të botës për momentin, Kristiano Ronaldon. Gjithsesi, ne duam të fitojmë dhe besojmë se mund të fitojmë”.

Dyshimet e vetme të Juventusit për formacionin janë për aktivizmin e Markizios ose Betankurit në vend të Pjaniçit, ashtu si zgjedhja mes Ruganit e Barxalit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!