Juventusi nuk i ndahet Napolit/Trajneri Alegri i përgjigjet kritikave te rivalit të tij

schedule12:56 - 23 Janar, 2018

schedule 12:56 - 23 Janar, 2018

Trajneri i Juventusit, Alegri, është shumë i lumtur me fitoren e skuadrës së tij në ndeshjen e fundit të Serisë A. Ai hedh poshtë kritikat dhe i përgjigjet polemikave të trajnerit të Napolit.

Fitorja është në ADN.

I tillë është Juventusi, ashtu siç e thekson trajneri Masimiliano Alegri.

Fitoret vijnë radhazi, ashtu si kjo ndaj Xhenoas në Torino, dhe janë gjithnjë tripikëshe edhe kur nuk bindin plotësisht.

Suksesi ishte vetëm 1-0, falë një goli të shënuar nga Dagllas Kosta, ndërsa diferenca me Napolin kryesues të Serisë A u ngushtua përsëri në vetëm një pikë.

Edhe pse jo entuziazmuese, sërish fitorja ishte e merituar.

Juventusi dominoi gjatë gjithë kohës dhe ndeshja u luajt vetëm në një portë, me përjashtim të disa momenteve afër fundit.

Kampionia tregoi dëshirën për të fituar gjithnjë, pavarësisht se ka marrë titullin gjashtë herë radhazi në Itali, pra teorikisht duhej të ishte e ngopur.

Pikërisht këtë thekson edhe Alegri, duke iu përgjigjur edhe polemikave të trajnerit rival, Mauricio Sarri të Napolit.

“Kalendari është avantazh vetëm nëse fiton. Ndeshjet duhet të luhen dhe pikë, nuk ka nevojë që t’i kthej përgjigje Sarrit. Mua më sjellin kalendarin, luaj ndeshjet dhe kaq. Kritikat për mua kanë vlerë “zero”, pasi rëndësi ka fitorja. Ishte e vështirë të ktheheshe nga pushimet dhe të luaje shumë mirë, por ia dolëm dhe kjo vlen shumë, por në fund ishim të lodhur. Në Serinë A duhet të kesh vazhdimësi, për të pasur sukses”.

Sidoqoftë, humbja e shumë rasteve dhe mosshënimi i golit të dytë ishin një problem, pasi e rrezikuan fitoren, edhe pse Xhenoa bëri pak.

Në fund, kampionët edhe mund të ishin ndëshkuar dhe patën fat.

Juventusi, sidoqoftë, është mjaft mirë i vendosur në renditje, me 53 pikë ndaj 54 të Napolit, dhe me numrin më të madh të golave shënuar në Serinë A, pas Lacios./abcnews.al