Juventus dhe Atletico Madrid arritën një akord mes tyre më 22 shtator në lidhje me Alvaro Moratën. Sulmuesi spanjoll u rikthye te bardhezinjtë italianë, aty ku ka luajtur më parë në vitet 2014-2016.
10 milion euro paguan kampionët e Italisë për huazimin deri në fund të këtij sezoni, teksa ka një klauzolë për blerjen e tij përfundimtare verën e ardhshme për 45 milion euro të tjera.
Jo vetëm kaq, pasi Juventusi ka edhe një opsion për ta zgjatur huazimin e Moratës për dy vite, duke paguar edhe 10 milion euro të tjera, për ta blerë përfundimisht në verën e vitit 2022 për 35 milion euro.
28-vjeçari e ka nisur shumë mirë aventurën e dytë me “Zonjën”. Deri tani ka shënuar 6 gola (2 në kampionat dhe 4 në Champions League), teksa ia la dalë të rikthehet dhe të shënojë edhe te kombëtarja spanjolle.
Forma shumë e mirë ka bindur drejtuesit italianë të tentojnë blerjen e tij të menjëhershme në fund të sezonit. Marrëveshja është e qartë, Juventusi duhet të derdhë 45 milion euro në arkat e “Colchoneros” në fund të sezonit.
Rreth kësaj teme ka folur për El Larguero Enrique Cerezo, presidenti i Atletico Madrid. “Morata është një futbollisti i Atletico Madrid, të cilin e kemi huazuar për dy vite te Juventusi.
Italianët e kanë mundësinë e blerjes, por duhet të paguajnë shumën e përcaktuar për ta bërë lojtarin të tyrin. Më vjen mirë që Alvaro ndodhet në formë, e meriton momentin fantastik që po kalon“, deklaron kreu i klubit spanjoll. /abcnews.al