Juventusi e Napoli luajnë sot kryendeshjen e Serisë A

schedule14:54 - 22 Prill, 2018

schedule 14:54 - 22 Prill, 2018

Seria A do të ketë sot një ndeshje që mund të vendosë shumë për titullin. Napoli shkon në fushën e Juventusit, dhe vetëm fitorja e mban me shpresë për të qenë kampion.

Nuk është derbi i Italisë, por gjithsesi, një sfidë e madhe.

Juventus-Napoli ka 60 vjet që luhet në njërin prej kampionateve më të fortë të botës, ndërsa kjo e diel i vendos rivalët sërish përballë.

Një ndeshje ndoshta përcaktuese për titullin kampion, pasi Juventusi kryeson me 85 pikë e Napoli është i dyti me 81.

Pavarësisht se napolitanët humbën duelin e fazës së parë brenda në shtëpi, sërish optimizmi i tyre është i madh.

Skuadra u stërvit me përqëndrim të lartë, nën drejtimin e trajnerit Mauricio Sarri, e bindur në forcat e veta, dhe e kënaqur që mbetet me shpresë për titull edhe tani që duhen vetëm 5 javë deri në përfundim.

Tifozët ishin në festë në qytetin e Italisë së Jugut, në atë që njihet si qyteti i këngës dhe i kinemasë, dhe përcjellja që ata I bënë skuadrës për në Torino, ishte me të vërtetë madhështore.

Mes yjeve si Insinje, Hamshik, Mertens, Kajehon apo Reina, ishte edhe Elseid Hysaj që udhëtoi drejt Veriut të Italisë, me besimin se mund t’ia dalin.

Juventusi, sidoqoftë, është favorit, me 4 pikë epërsi, me ndeshjen në fushën e vet dhe me përvojën shumë më të madhe, por Sarri flet I vendosur në konferencën për shtyp.

Sarri: “Duhet të mendojmë për veten tonë, është e kotë që të merremi me të tjerët. Na takon që të tregojmë se nuk kemi frikë nga Juventusi, ndërsa kundërshtari e ka treguar veten edhe këtë vit. Sipas filozofisë sonë, nuk mendoj se do të luajmë të druajtur, por do të shkojmë atje dhe do të përpiqemi të imponojmë lojën tonë. Ndonjëherë ia kemi dalë, ndonjëherë jo, por kundërshtarët janë të një niveli tjetër. Mendoj se lojtarët nuk duhet të shqetësohen, por thjesht të kënaqen, pasi ne e kemi arritur ndërkaq objektivin tonë, vendin e dytë dhe kualifikimin për në Champions”.

Juventusi është padyshim ekipi më i fortë në Itali, plot 6 herë radhazi kampion.

Me një formacion të mbushur me yje, që thuajse eleminoi Realin nga Championsi, mendohet se ndeshja me Napolin është e kalueshme.

Gjithsesi, për herë të parë në gjithë këta vjet, në Serinë A ende nuk është përcaktuar fituesi I titullit.

Sa e përgatitur është skuadra e trajnerit Alegri në kushte të tilla?

Alegri: “Duhet të jemi të përgatitur, por nuk është fjala vetëm për ndeshjen ndaj Napolit. Duhet të luajmë një fazë përfundimtare të sezonit shumë të bukur, por edhe shumë të vështirë.  Duhet të luajmë me radhë ndaj Napolit, Romës, Interit dhe Milanit, me tri ndeshje që janë për kampionatin dhe një është finalja e Kupës. Një fund sezoni I fortë, të cilin duhet ta luajmë me kthjelltësi, dhe kam besim se do t’ia dalim, pasi skuadra është mësuar të luajë këto lloj ndeshjesh. Gjithsesi, duhet të respektojmë Napolin që ka bërë një sezon të madh dhe që ka disa vite në nivele të larta, edhe me lojë, edhe me rezultate”.

Juventusi pritet të ketë disa ndryshime në formacion, me Paulo Dibalën ende në dyshim nëse do të jetë titullar apo jo, dhe me Lihtshtajnerin, Barxalin, Ruganin e Aleks Sandron në stol.

Tek Napoli, Kulibali kthehet në mbrojtje, dhe Mertens besohet të jetë titullar, me polakun Milik në stol. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!