Juventusi arrin akordin me kapitenin e Ajaksit

schedule13:00 - 27 Qershor, 2019

schedule 13:00 - 27 Qershor, 2019

Dy klubet ende nuk kanë rënë plotësisht dakord, por gjëja më e rëndësishme është kryer.

Matijs De Ligt është marrë vesh me Juventusin për të qenë lojtar bardhezi duke nisur që nga sezoni i ardhshëm, siç duket me ndërmjetësimin e duhur të agjentit të tij, Mino Raiola.

Mediat europiane shkruajnë se do të nënshkruhet një kontratë 5-vjeçare me rrogë totale 12 milionë euro në sezon, sapo Ajaksi dhe Juventusi të “sheshojnë” gjërat.

Kështu informon “Deili Meil”, ndërsa “La Gazeta delo Sport” titullon: De Ligt pranë, po ashtu edhe Rabio! Misioni Juventus për Championsin!

Kartoni i qendërmbrojtësit 19-vjeçar vlerësohet nga 65 deri në 70 milionë euro, ndërsa klauzola e transferimit në Torino pritet të jetë rreth 170 milionë euro.

Barcelona ishte klubi kryesor që e kërkonte De Ligtin, por refuzoi të paguante rrogën e kërkuar, ndërsa kapitenin e Ajaksit e donin edhe Paris SG e Mançester Junajtidi.

Duket se Juventusi e bindi holandezin se në Itali do të ketë më shumë shanse për të luajtur titullar, dhe për të fituar trofe.

Një ndihmë e madhe ishte edhe fjala e Kristiano Ronaldos, i cili e ftoi De Ligtin, pas finales së Ligës së Kombeve në Porto, mes Portugalisë dhe Holandës.

Trajneri I ri juventin, Mauricio Sarri, duket se do të ketë në dispozicion një skuadër të aftë për të fituar më në fund Championsin, për herë të parë që nga viti 1996.

De Ligt është jo vetëm një mbrojtës i shkëlqyer dhe me të ardhme të madhe, por gjithashtu di të shënojë gola, pasi ka realizuar 14 herë në 134 ndeshje për Ajaksin./ABC News Albania 14/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!