Skuadra e Juventusit fitoi pa shumë probleme përballjen ndaj Valencias me shifrat minimale 1-0. Fitore arriti edhe Bayern Mynih, Manchester United dhe Real Madrid ndërkohë që Manchester City nuk ia doli ndaj Lyon.
Natë magjike ajo e kësaj të marte në Ligën e Kampioneve. Juventusi bëri detyrën në shtëpi përballë skuadrës së Valencias duke prerë biletën për në fazën me eliminim direkt. Një takim pa shumë histori ku bardhezinjtë e dominuan ndeshjen nga fillimi deri në fund. Bardhezinjtë fituan me golin e shënuar nga Mario Mandzukiç në minutëb e 59.
Ronaldo lihet i lirë në zonë dhe asiston saktë për kroatin që shënon me portën e boshatisur. Valencia shfaqet herë pas here, por pa mundur të vendosë baraspeshën. Fitore në limitet e kohës së rregullt arriti edhe skuadra tjetër e grupit H, Manchester United. Heroi i takimit për “djajtë e kuq” ishte Fellaini i ardhur nga stoli.
Fitore tenistike koleksionoi Bayerni në shtëpi ndaj Benficas. Bavarezët fituan me shifrat e thella 5-1. Arjen Robben dhe Robert Levandovski shënuan nga dy gola secili ndërkohë që festivalin e golave e mbylli Franck Ribery. Bind Reali i Madridit që hedh pas krahëve problemet në kampionatin spanjoll. Kampionët në fuqi të Europës fituan me shifrat e pastra 2-0 ndaj Romës në transfertë. Bale në minutën e 47 dhe Vazquez në të 59-n minutë ishin autorët e golave për galaktikët.
Lyon-i rezultoi të ishte një kockë e fortë për Manchester City-n që nuk shkoi më shumë se një barazim 2-2. Ishin francezët ata që kaluan dy herë në avantazh, por qytetarët arritën të shmangnin humbjen e dytë ndaj Lyon./abcnews.al