Duket si një ëndërr e keqe.
Po I ndodh pikërisht skuadrës më të titulluar në Itali, me 36 tituj, dhe asaj që ka fituar dy Champions në histori, ka arritur 7 herë në finale të këtij konkurrimi, ka fituar Kupën e Kupave të Europës, Kupën UEFA, Superkupën e Europës dhe Kupën Interkontinentale, por që rrezikon të kthehet në një emër krejt mediokër në arënën ndërkombëtare.
Disfata 0-2 në Serinë A në Torino ndaj Komos erdhi pas katastrofës me shifrat 5-2 në Stamboll në Champions ndaj Gallatasarajit, dhe I gjithë sezoni është I varur në një fije peri.
A mundet që trajneri Spaleti dhe të besuarit e tij të realizojnë mrekullinë?
Tekniku që doli kampion me Napolin duket se e ka tepër të vështirë, të paktën tani, ndërsa bën thirrje që tifozët të mbushin stadiumin e të mbështesin ekipin në momentin më të vështirë.
Në rast eliminimi, humbjet do të ishin të paktën 15 milionë euro vetëm për pjesëmarrjen në raundin e dytë, ndërsa në rast dështimi për kualifikim në Champions sezonin e ardhshëm, në total mund të llogariten 80 milionë euro.
Një statistikë tjetër tregon qartë se çfarë transformimi negativ ka pësuar “Zonja e Vjetër”.
Mbushen plot 29 vjet pa asnjë trofe ndërkombëtar, në Europë e në botë, që nga fitorja e Superkupës së Europës në 1997 në kohën trajnerit Marçelo Lipi, të Del Pieros e Vialit.
Ekipi u stërvit me kokën ulur në qendrën sportive, I ndërgjegjshëm se do të jetë shumë e vështirë.
Spaleti thotë se Jildiz dëshiron të luajë, një lajm shumë I mirë, dhe turku mund të jetë titullar.
Gjithsesi, mbrojtësi Bremer është në dyshim dhe në portë mund të jetë Perin në vend të numrit 1 Di Gregorio që ka bërë shumë gabime së fundmi.


