Duket se urimi i presidentit amerikan paska bërë punë.
Donald Tramp, pikërisht në kohën që po mendohet për një vendim të jashtëzakonshëm të një lufte me Iranin, gjeti kohën për të pritur “Zonjën e Vjetër” në Shtëpinë e Bardhë.
Pasi dëgjuan sulmet ndaj paraardhësit Bajden dhe ngacmimit nëse një futbolliste femër mund të luante në këtë ekip, futbollistët e Juventusit dolën në fushën e stadiumit “Audi Fild” në Uashington për ndeshjen e tyre të parë në Kupën e Botës për Klubet.
Fitorja 5-0 ishte ogur I mirë për vazhdimin, ndonëse ende nuk është e qartë nëse kjo diferencë erdhi për shkak të forcës së italianëve apo të dobësisë së Al Ainit nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Duket se Al Ain, ashtu si Oklendi, është një nga ekipet “lilipute” të këtij Botërori.
Epërsia e bardhezinjve ishte e plotë dhe gjithçka u zgjidh që në pjesën e parë.
Kolo Muani shënoi në 11’, Fransisko Konseisao shtoi të dytin në 21’, turku Kenan Jildiz trefishoi shifrat në 31’ dhe sërish Kolo Muandi realizoi në minutën e katërt shtesë para pushimit.
Trajneri Tudor nuk pati shumë për t’u thënë lojtarëve të tij, të cilët në pjesën e dytë kursyen energjitë për duelin e pritshëm ndaj Mançester Sitit për të përcaktuar skuadrën kryesuese të grupit G.
Në pjesën e dytë, golin e pestë e shënoi Konseisao, edhe ai me dy rrjeta.