“Derbi i Italisë” mes Juventusit dhe Interit nuk zhvillohet vetëm në fushë. Rivalët e përjetshëm, përveç duelit në fushë përballen dhe në merkato. Kanë qenë të shumtë lojtarët në të kaluarën për të cilët kanë qenë të interesuar të dy klubet.
Rasti i fundit është ai i mesfushorit të Fiorentinës, Gaetano Castrovilli. 22-vjeçari ka rënë në sy që në sezonin e tij të parë në Firenze. Ishin milanezët që shfaqën interes të parët, por me kalimin e ndeshjeve janë bindur dhe torinezët për t’iu bashkuar garës për Castrovillin.
Përpos interesimit të dy klubeve, fjalën e fundit e ka Fiorentina. Klubi violë dëshiron ta mbajë italianin në ekip për të paktën dhe një sezon, duke shtyrë kështu betejën mes Interit dhe Juventusit. /abcnews.al