Juncker në Athinë: Në fund të verës, kthim në normalitet

schedule19:04 - 26 Prill, 2018

schedule 19:04 - 26 Prill, 2018

Presidenti i KE-së, Jean Claude Juncker gjatë një vizite në Athinë ka deklaruar se pret që brenda verës Greqia t’i rikthehet normalitetit ekonomik, ndërsa ka refuzuar çdo ide për daljen e shtetit helen nga zona euro.

Presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker ka shprehur mbështetjen e tij për Greqinë gjatë një vizite të zhvilluar të enjten në Athinë. Juncker, i cili është takuar me presidentin grek Prokopis Pavlopoulos dhe kryeministrin Aleksis Tsipras, ka deklaruar se vendi është në rrugën e rimëkëmbjes ekonomike. Juncker e cilësoi Greqinë një shtëpi të dytë dhe theksoi se i mbetet besnik popullit grek për ta ndihmuar në ditë të vështira. Në një konferencë për shtyp përkrah Tsipras, Juncker tha se pret që deri në fund të verës Greqia të kthehet në një vend normal. Vendi ballkanas anëtar i BE-së pritet të dalë nga programi i ndihmës ekonomike në muajin gusht, edhe pse ka ende debate sa i takon kohës që duhet mbajtur nën mbikëqyrje nga kreditorët ndërkombëtarë. Në vijim të fjalës së tij, Juncker shtoi se as nuk e çon nëpër mend idenë që Greqia të braktisë euron. Nga ana e tij, presidenti Pavlopoulos falenderoi presidentin e KE-së për mbështetjen që i ka dhënë shtetit helen. Ndërsa zëdhënësi i ekzekutivit grek, Dimitris Tzanakopoulos tha se marrëdhënia mes kryeministrit Tsipras dhe presidentit Juncker mbetet e ngushtë, pavarësisht diferencave të shprehura në të kaluarën. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!