Reshjet intensive të shiut dhe stuhitë e erës parashikohet të përfshijnë vendin deri në mesnatë. Më të theksuara sipas meteorologes Lajda Porja ato do të jenë në jug të territorit. Dobësimi i tyre parashikohet të nisë të premten.
“Zonat që do të marrin më shumë reshje do të jenë ato të jugut ku do të jenë edhe mbi 100 mm. Duhet theksuar se 100 mm shi në një kohë shumë të shkurtër janë një sasi shumë e madhe në krahasim me kuotat mujore.”
Temperaturat do të vijojnë të zbresin deri në tre gradë në zonat malore.
I ftohti sipas Lajda Porjas nga shërbimi “Meteoalb” pritet të ndjehet më tepër për shkak të fuqizimit të erës në brigjet e Jonit.
Kapiteneria e Vlorës për këta arsye ka ndaluar lundrimin e mjeteve të vogla dhe atyre të peshkimit deri pas orës 10 të mbrëmjes së të premtes.
“Në momente të veçanta do të kemi edhe erë deri në 70 km/h. Sidomos në brigjet e jonit ku do të ketë probleme edhe me trafikun detar duke qenë se parashikohet që herë pas here të kemi një dallgëzim pesë apo gjashtë ballë. Kjo do të jetë deri të shtunën dhe të dielën.”
Tetori, parashikon meteorologia Porja do të mbyllet si një muaj tipik vjeshtor, si për vlerat e termometrit ashtu edhe për reshjet. /abcnews.al/