Jugu i Shqipërisë destinacioni i Begajt dhe Mitsotakis, çfarë ndodh në datat 21 dhe 22 dhjetor në Finiq dhe Himarë

schedule17:51 - 20 Dhjetor, 2022

schedule 17:51 - 20 Dhjetor, 2022

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj do të zhvillojë një vizitë në jug të vendit. Kreu i shtetit do të vizitojë gjatë ditës së mërkurë dhe të enjte Delvinën, Finiqin dhe Sarandën.

Sipas presidencën kreu i shtetit do të takohet me përfaqësuesit e pushtetit vendor, komunitetin e biznesit dhe turizmit.

Presidenti Begaj do të takohet në Delvinë me Kryetaren e Bashkisë, Majlinda Qilimi për t’u njohur nga afër me sfidat me të cilat përballet komuniteti në këtë zonë si dhe do të takohet me përfaqësues të sipërmarrjeve të vogla e do të vizitojë Muzeun e Historisë.

Presidenti Begaj do të vizitojë edhe Finiqin, ku do të takohet me Kryetarin e Bashkisë,  Kristo Kiço, me përfaqësues e intelektualë të minoritetit grek, si dhe do të vizitojë edhe Parkun Arkeologjik të Finiqit.

Në Sarandë, Presidenti Begaj do të takohet me kryetarin e bashkisë, Adrian Gurma si dhe do të vizitojë repartin pediatrik të spitalit “Petro Nako” ku do të takohet e do të bisedojë me stafin e mjekëve. Presidenti dhe Zonja e Parë do të vizitojnë edhe shkollën e mesme “Hasan Tahsini”.

Një vizitë do të zhvillohet edhe në Parkun Kombëtar të Butrintit, për të parë bukuritë natyrore të këtij parku – pasuri e mbrojtur e UNESCO-s – që tërheq turistë nga e gjithë bota.

Po në të njëjtën ditë që presidenti Begaj do të nisë turin e tij në jug të vendit, kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis do të vizitojë Himarën, për të zhvilluar edhe ai një takim me komunitetin grek në vendin tonë.

/Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!