Sot bëhen fiks 47 vite që kur nisi revolta e burgut të Spaçit, e cila nisi nga një incident mes një të dënuari dhe gardianit dhe shpërtheu në të gjithë burgun duke tronditur themelet e regjimit komunist.
Për shtypjen e kësaj revolte u angazhuan 4 500 forca policore dhe ushtarake nga i gjithë vendi duke rezultuar në pushkatimin e drejtuesve të saj si edhe zgjatjen e dënimeve për shumë të tjerë.
Çfarë ndodhi?
Revolta e Spaçit nisi në datën 21 maj 1973 si një kundërshtim ndaj urdhërave dhe rregullave të vendosura në burg. Më pas do të merrte përmasa më të mëdha duke kundërshtuar vetë regjimin komunist.
Nisi si një incident i vogël mes një të dënuari dhe gardianit të Burgut të Spaçit, por përfundoi me revoltën e thuajse të gjithë të burgusorve, duke shkaktuar tronditje të fortë për institucionet e sigurisë dhe drejtuesit e qeverisë komuniste. Për rreth 3 ditë në tarracën e burgut 100 të burgosur filluan të hidhnin parrullat “Ja vdekje ja liri!”, “Populli është me ne”, “Rroftë Shqipëria e lirë”, “Ju jeni katila”.
Ata u rrethuan me shpejtësi nga mbi 4 500 trupa ushtarake nga Shkodra e Tirana, të cilët hapnin zjarr nga të gjitha anët. Deri në momentin që u shtyp dhunshëm revolta, të dënuarit u bashkuan dhe kundërshtuan me forcë të dorëzoheshin, duke u konfrontuar fizikisht me gardianët e Burgut të Spaçit, të repartit 303 dhe të forcave të sigurimit dhe ushtrisë të mbërritur nga Tirana.
Si rezultat dhe në shenjë hakmarrje, do të dënoheshin me pushkatim, katër nga krerët kryesorë të revoltës ndërsa rreth 82 persona të tjerë do të ridënoheshin me vite të gjata burgu. (Pal Gjergj Zefi, Dervish Bejko, Skënder Haja, Hajri Pashaj).
Urdhri për dënimin e të burgosurve të Spaçit, erdhi nga Tirana. Ai u përpilua më 1 qershor 1973 dhe pastaj iu paraqit Gjykatës Popullore të rrethit Mirditë.
Më poshtë po paraqesim formulimin e një aktpadie ndaj njërit prej të akuzuarve:
“I pandehuri Rexhep Lazri, ka marrë pjesë dhe ka hedhur parulla kundër pushtetit duke u shprehur: Ja vdekje ja liri!, Poshtë komunizmi! etj. U ka bëre thirrje të dënuarve të tjerë për të marrë pjesë në revoltë.”