Joseph: Deklaratat e Vuçiçit janë të papranueshme, kujdes me “23 prillin”

schedule11:34 - 16 Prill, 2023

schedule 11:34 - 16 Prill, 2023

Profesori amerikan, Edward Joseph, i konsideron të papranueshme deklarimet e presidentit të Serbisë se nuk do të zbatojë të plotë marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e saj që u arrit në Ohër. Eksperti i politikës së jashtme dhe njohësi shumë i mirë i Ballkanit, konsideron se Kosova e Serbia nuk janë afër marrëveshjes finale.

Në një intervistë për KosovaPress, Joseph deklaron se liderët e Kosovës duhet të mendojnë edhe për pasojat e mbajtjes së zgjedhjeve në veri të parapara të mbahen të dielën e ardhshme.

Ai thekson se Serbisë do t’i leverdiste nëse në veri do të ketë incidente dhe mospjesëmarrje në zgjedhjet e 23 prillit.

“Çfarë do ta dëmtonte Kosovën, një lloj loje që dëshiron Serbia, të ketë një lloj konfrontimi, mendoni për atë se çfarë do të përfitonte më shumë Aleksandër Vuçiç. Ai do të përfitonte më së shumti nëse mbahen zgjedhjet dhe ka incidente”, thekson ai.

Profesori amerikan nga universiteti “Johns Hopkins”, Edward Joseph thotë për KosovaPress se marrëveshje e Ohrit është e rëndësishme, mirëpo ka shumë pengesa.

Eksperti për politikë të jashtme nuk beson se Kosova e Serbia janë afër marrëveshjes finale.

Ai thotë se gjërat do të ishin shumë ndryshe në kuptim pozitiv nëse të gjithë anëtarët e Bashkimit Evropian dhe ata të NATO-s do ta njihnin pavarësinë e Kosovës.

Për më tepër, Joseph thekson se Kosova nuk do të arrijë të anëtarësohet NATO dhe Bashkimin Evropian pa integrimin e plotë të serbëve.

Komente të parpanueshme i konsideron deklarimet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që thotë se nuk do të zbatojë pjesët e marrëveshjes që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

“Këto lloj komente janë krejtësisht të papranueshme, sepse sipas BE-së dhe SHBA-së, është ligjërisht e obligueshme”, deklaron profesori amerikan.

Kosova dhe Serbia u pajtuan me 18 mars në Ohër për aneksin e zbatimit të marrëveshjes që u arrit në Bruksel, ani pse nuk pati nënshkrim të saj. Në kuadër të saj, palët u pajtuan për të miratuar deklaratën për personat e zhdukur. E po ashtu për të zbatuar nenin 7 që Kosova të nisë menjëherë negociatat në kuadër të dialogut për përcaktimin e aranzhimeve dhe garancive specifike, që sigurojnë një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë.

/KosovaPress/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!