Mesditën e sotme në stadiumin “Air Albania” është prezantuar trajneri i ri i Kukësit Mirel Josa. Ish-trajneri i Tiranës e Skënderbeut tha fjalët e para si teknik i Kukësit dhe shpalli objektivat e klubit verilindor deri në fund të sezonit.
“U bë kohë e gjatë që nuk jemi takuar së bashku në të tilla pozita. Falënderoj drejtuesit e klubit. Çdo gjë ndodhi për dy tre ditë. Marr përgjegjësitë e mia, siç kam bërë kudo ku kam qenë. Nuk dua të qëndroj më te e kaluara sepse qoftë e mirë apo e keqe, vetëm gjërat negative mbahen mend.
Tani do punojmë për të kthyer Kukësin aty e do presidenti. Të marrim të mirat nga eksperiencat e shkuara dhe të lëmë negativet në një anë. Sigurisht do të ketë gabime, por do mundohemi të bëjmë sa më pak. Është ndryshe të kesh emra në skuadër dhe është ndryshe të kesh skuadër të vërtetë.
Kukësi ka pasur oscilacione. E kam parë disa herë Kukësin. Është skuadër me futbollistë të mirë dhe premtues. Duhet konsolidimi i skuadrës. Objektivat e skuadrës? Në dy ndeshjet e fundit rezultati e ka ndihmuar skuadrën. Konsolidimi do të vijë në mënyrë më graduale.
Në merkato mund të ishin bërë edhe zgjedhje të tjera, por nuk më shqetëson kjo gjë. Është skuadër e ndërtuar me baza, Nderimi (Nexhipi) e di mirë sepse është brenda kësaj pune. Nëse do të kemi marrëdhënie të mira me drejtuesit çdo gjë do të shkojë më mirë, duke pritur edhe disa ardhje në merkato.
Duam rezultatet në mënyrë direkte. Nuk fshihem dhe do i kërkoj lojtarëve maksimumin e tyre sepse edhe ata janë të përgjegjshëm për çfarë e marrin pagën. Kur unë nuk kisha kontakte me Kukësin, kam dhënë mendimin tim për Superioren dhe kam thënë se Vllaznia është favorite sepse rezultatet nuk të lënë të flasësh ndryshe.
Normal që Kukësi ka hyrë për të dalë kampion. Në këtë diferencë që jemi tani, nuk do ishim mirë nga mendtë e kokës nëse do thonim se jemi sërish për titull. Unë kështu mendoj. Ne do bëjmë maksimumin në çdo ndeshje dhe të afrohemi sa më shumë për vendin e dytë ose të tretë. Nëse na jepet mundësia për vendin e parë pse jo. Edhe skuadrat e tjera do të bëjnë hapat e tyre false. Shpresoj që ne të bëjmë hapa fals kur të bëjnë edhe të tjerët.
Objektivat e tanishëm ndryshojnë nga ata të fillimit të sezonit. Jemi në garë për Kupën e Shqipërisë dhe vendin e dytë e të tretë. Të përmirësojmë veten tonë dhe të shohim nëse do bëjnë gabime skuadrat sipër nesh, duke pasur kujdes edhe ata pas nesh.
Gega dhe Rramani (Hallaci) kanë bërë lëvizjet e tyre për të riparuar defektet e tyre. Do shikojmë prurjet e merkatos dhe gjendjen e tyre. Nuk do të thotë se prurjet e reja do të futen direkt në skuadër. Duhet të jenë të gatshëm fizikisht. Kemi biseduar për afrimet e lojtarëve. Brenda Shqipërisë nuk mund të sugjeroj tani sepse është e vështirë.
Do shohim të marrim lojtarë në gjendje të mirë fizike, që kanë luajtur rregullisht në ekipet e tyre. Është shumë e vështirë në këtë periudhë, gabojnë edhe klubet e mëdha në merkato sepose edhe pandemia dhe ngjeshja e ndeshjeve kanë ndikuar në këtë pjesë. Çdo ndeshje shkojmë për fitore. Të gjithë skuadrat mbrohen dhe sulmojnë mirë.
Debutim në Korçë? Nuk ka asnjë problem, shkoj në Korçë të takoj njerëzit atje. Të gjitha ndeshjet për mua janë njësoj. Me presidentin Gjici kam biseduar vetëm 25 minuta. Kam folur vetëm me Nexhipin dhe me Gjicin jam takuar vetëm dy herë.
Nuk është problem për mua që një president kërkon rezultatin sepse ka harxhuar për skuadrën. Janë normale kërkesat e tij. Kërkoj sinqeritet nga të gjitha drejtimet, klubi dhe futbollistët sepse të gjithë punojmë me një qëllim të vetëm”, u shpreh Josa. /abcnews.al