I madhi Jorgo Papingji ishte pikërisht personi që i ndryshoi jetën sopranos së njohur, Dorina Selimaj. Kjo e fundit tregoi në emisionin “Pas Mesnate”, se kur ishte e vogël ndiqte në Pallatin e Pionerit kursin e aktrimit dhe pikërisht Papingji i zbuloi talentin për muzikë.
Dorina tha se prindërit nuk e linin të shkonte për të ndjekur artin dhe ishte pikërisht profesor Papingji që i bindi, duke besuar te talenti i saj.
“Mua duke kënduar më ka dëgjuar Jorgo Papingji. Unë shkoja në Shtëpinë e Pionerit dhe ndiqja rrethin e aktrimit dhe profesor Jorgo aty më spikat. Unë po këndoja një këngë për qejfin tim dhe ai më thotë që ti do të vish në rrethin e këngës, nuk duhet të rrish te rrethi i aktrimit. Unë fillova të shkoja në rrethin e këngës, mirëpo babin e kam pasur pak fanatik, ushtarak, të rreptë dhe nuk më linte të shkoja. Mirëpo, profesor Jorgo më thërret dhe më thotë, po pse moj Dorina, një herë vjen dhe pesë herë nuk vjen. Edhe unë i thash që nuk më lënë prindërit që të vij dhe profesor Jorgo më thotë që unë dua të takohem patjetër me prindërit e tu, për të parë se sa e talentuar je ti. Kështu erdhi mami dhe i tha që duhet ta lini vajzën në këtë rrugë të vazhdojë sepse është shumë e talentuar, mos ia ndërprisni rrugën në mes. Edhe mami i tha që ‘ne nuk jemi familje artistash, ne nuk kemi një mbështetje’ se në art duhet të kesh një mbështetje që të çash përpara. ‘Kjo do çaj vetë me talentin e saj’. Edhe që aty unë nuk iu ndala më kësaj rruge”, kujtoi e emocionuar sopranoja./abcnews.al