Jorginho ndoqi pas Maurizio Sarrin verën e vitit 2018 dhe të dy, pasi lanë Napolin, u transferuan te Chelsea. Fillimi ishte i vështirë për mesfushorin italo-brazilian. Ai ishte i preferuari i trajnerit dhe tifozët talleshin me të për këtë gjë.
28-vjeçari uli kokën, punoi fort dhe u “hakmorr” në heshtje. Organizatori rrëfen për FourFourTwo se nuk e kishte të lehtë, madje mendoi edhe largimin nga “Blutë e Londrës”. Në ndihmë i erdhi edhe Frank Lampard, i cili zëvendësoi Sarrin në stol verën e kaluar.
“Tifozët talleshin me mua sezonin e kaluar, sepse kisha ardhur me trajnerin e ri. Kam dëgjuar shumë kritika të padrejta, por asnjëherë nuk i kam kontestuar ato. Përkundrazi, më kanë dhënë forcë për të ecur përpara. Punova në heshtje, edhe më fort se më parë, për t’u treguar se e kishin gabim. Në disa momente nuk e kam patur të lehte dhe mendova të largohem fare nga Chelsea.
Lampard? Trajneri ka folur gjithmonë mirë për mua. Jam integruar mirë me të dhe kemi punuar së bashku. E falënderoj për sinqeritetin që ka treguar për mua publikisht. Ai është një legjendë e klubit, kështu që njerëzit e dëgjojnë atë që thotë. Prej asaj dite, e ndjeva që të gjithë filluan të më shihnin me një sy tjetër dhe filluan t’i kushtojnë vëmendje punës që bëj”, deklaron Jorginho. /abcnews.al