Ardhja e mesfushorit Enzo Fernandez te “blutë” e Chelsea i krijoi mundësinë italianit Jorginho të niste një “aventurë” të re te “topçinjtë” e Arsenal, “aventurë” të cilën duket se po e shijon, teksa sezonin e ardhshëm do të jetë pjesë e rikthimit të skuadrës së Mikel Arteta në Champions League.
Mirëpo, pavarësisht gjithçkaje, ne media qarkualluan lajme që lidhnin “veteranin” e mesfushës me një kalim te Lazio, por në një intervistë për mediat britanike, Jorginho hodhi poshtë hipotezën e një “lamtumire” ndaj Arsenal dhe do të vazhdojë të qëndrojë në “Emirates”.
“Isha i befasuar, por shumë i lumtur me mënyrën si më mirëpritën tek Arsenal. Ndihem shumë mirë këtu dhe jam shumë i lumtur që qëndroj. Tregu i transferimeve? Janë thjesht thashetheme, nuk e di kush qëndron pas kësaj. Nuk ka asgjë, jam i lumtur këtu ku jam.
Shpresoj që të bëjmë edhe më mirë në vazhdim. Të gjithë janë shumë të emocionuar për Champions League. Ne mezi presim të luajmë me më të mirët. Do të jetë patjetër një sezon emocionues”,- është shprehur Jorginho. /i.m /abcnews.al