Mirsad Jonuz nuk ka duruar më dhe është larguar nga Vllaznia. Kontrata me klubin shkodran i ka përfunduar me 31 maj dhe kuqeblutë duhet të gjejnë një trajner të ri për mbylljen e sezonit.
58-vjeçari nga Maqedonia e Veriut ka dhënë një prononcim për Panorama Sport, aty ku konfirmon mbylljen e bashkëpunimit me skuadrën veriore. “Më vjen keq që u mbyll kështu, por ishte e pamundur të vazhdoja.
Ndihesha shumë i lodhur. Problemet nuk kishin të mbaruar dhe situata nuk më dukej më e volitshme për të vazhduar punën. Nuk ishte vetëm çështje rrogash. Ka edhe probleme të tjera.
Unë kam njoftuar zyrtarisht klubin se më ka përfunduar kontrata më 31 maj. Pas ndeshjes me Flamurtarin, ku ne fituam me rezultatin 3-1, vendosa që të largohem.
Kam bërë më të mirën time aty dhe shpresoj të jenë të kënaqur me punën time, por nuk mundesha më. Sinqerisht nuk mundesha më“, deklaron Jonuz. /abcnews.al