Vllaznia u mund sërish nga Tirana në Shkodër. Goli i Cobbinah i dha një fitore tepër të rëndësishme ekipit mik, ndërsa trajneri i kuqebluve, Mirsad Jonuz, analizoi takimin në prononcimin e dhënë në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport.
NDESHJA – “Vendosa në pjesën e parë skuadrën shumë afër, i lëshuam pak territor Tiranës. Pjesa e parë ishte e mirë. Kishim pak probleme me Torassen, sepse shkonte si sulmues i dytë bashkë me Ngo. Krijoi 2-3 raste shumë të mira për Tiranën me futjen nga brenda”.
PJESA E DYTË – “Në pjesën e dytë fola me lojtarët që ta markonin këtë lojtar. Pritëm për një kundërsulm dhe për të krijuar disa raste. Skuadra ime luajti më mirë në pjesën e dytë, krijuam raste dhe mundësi për gol. Disa lojtarë të mi janë në nivel mesatar, nuk janë të nivelit të lartë. Ky është problemi i Vllaznisë në ndeshjet e mëdha. E humbëm ndeshjen prej një gjuajtje në portë. Ishte një situatë e zakonshme për portierin, por ky është futbolli, një rast dhe humbet ndeshjen”.
KRITIKA – “Disa lojtarë janë në nivel mesatar dhe po vuajnë në aspektin psikologjik. Nuk e di pse e mbyllëm lojën në 10 minutat e fundit, kërkova që të luanim me kundërsulm. Çdo gjë po shkonte mirë, mund të merrnim një pikë, diçka normale për këtë ndeshje. Gjithsesi, luajtëm mirë në pjesën e dytë dhe e humbëm ndeshjen prej një gjuajtje”.
KRYMI – “Nuk ka luajtur mirë në 2-3 ndeshjet e fundit, nuk ka pasur një gjendje të mirë fizike, prandaj nuk e futa në lojë. Preferova lojtarë të fortë, vendosa të fus Gurishtën për të mbajtur Torassën dhe ai luajti mirë. Nuk kam probleme me asnjë lojtar, e mbështes Krymin në stërvitje. Kjo ishte një ndeshje e veçantë për Shkodrën dhe futbollin shqiptar, ky është shkaku pse nuk aktivizova dy lojtarët e rinj, Hristov dhe Sidorenko. Zgjodha të fus lojtarë shkodranë”.
PROBLEMI – “E thashë, disa lojtarë janë të nivelit mesatar, disa të tjerë kanë nivel më të lartë. Djemtë e mi dhanë gjithçka në pjesën e dytë, e hapën lojën, krijuan raste. Humbëm raste me Silvion dhe Zogajn, nuk patëm fat. Lojtarët e stolit luajtën mirë. Duhet të punojmë psikologjikisht në këto lloj ndeshjesh. Duhet të luajmë shpejt. Me këtë buxhet dhe këto lojtarë, Vllaznia dha gjithçka. Kam besim se do punojmë dhe do ngjitemi lart”.
KËRKESA – “Kemi nevojë për një fushë stërvitje më të mirë. Jo për mua, mund të qëndroj disa vite këtu, mund të largohem edhe nesër. Por një klub profesionist ka nevojë për fushë stërvitje. Humbasim shpejtësinë në ndeshje, sepse stërvitemi në fushë të dobët”. /abcnews.al