Jonida Beqo: Metrofest synon të nxjerrë nga harresa dramën shqipe

schedule10:39 - 17 Shtator, 2018

schedule 10:39 - 17 Shtator, 2018

Drejtorja e teatrit të Metropolit, Jonida Beqo, në një intervistë për ABC News pranon se drama shqipe neglizhohet dhe paragjykohet nga regjisorët. Ndaj, sipas Beqos, surprizimi nga dramat e arkivit të autorëve shqiptarë dhe mirëpritja e spektatorit bëri që të realizonin festivalin e dytë të dramës shqipë Metrofest 2.

Drama shqipe, shpesh e lënë në harresë, apo e neglizhuar nga regjisorët, tashmë duket se krijuesit skenikë i kanë kthyer syte drejt saj. Teatri i Metropolit për vitin e dytë radhazi krijon festivalin, ku në qendër ka veprat e arkivit, pjesë që nuk e kanë parë kurrë skenën. Drejtorja e metropolit Jonida Beqo, thotë se entuziazmi i publikut i bëri që të vazhdonin kërkimin në këtë fushë me 5 vepra të reja.

Jonida Beqo, drejtore e Metropol: “Përgjigja që morën nga publiku dhe kërkesat ishin kaq të mëdha sa që e pamë me vlerë që të vazhdonim edhe në këtë edicion të dytë me një grup të ri veprash nga arkivat. Metrofest vjen sërisht sivjet më 5 shfaqje që janë premiera ndër të cilat vlen të përmendet “Rrajët që lëvizin” e Ernest Koliqit.”

Beqo thotë se dramaturgjia shqipe e cila fle në sirtare është e shumtë, ndaj ajo kërkon vëmendje dhe rizbulim si dhe një punë kërkimore nga regjizorët për të nxjerrë një shfaqje me vlera.

“Gjëja e parë që ne vëmë re kur hulumtojmë është që në fakt ka shumë dramaturgji shqiptare, e cila për një arsye apo një tjetër nuk është lëvruar përtej letërsisë. Por këto vepra duhen marrë, përshtatur, hulumtuar dhe si ti sillet një publiku bashkëkohor ka komedi, drama dhe çdo gjë në mes. Kemi më shumë komedi.”

Spektatori i grupmoshave të ndryshme e kërkon dhe e shijon veprën shqipe, sipas drejtores së Metropolit.

“Publiku i të gjitha moshave e don veprën shqiptare. I dhamë mundësi publikut që të shprehet pas shfaqjes. Kërkesa ishte shume e madhe dhe sivjet po bëjmë dy javë të plota. Publiku e pëlqen veprën shqiptare sepse aty e sheh veten më shumë se në çfarëdolloj vepre tjetër.”

Drama shqipe has në paragjykime të teatërbërësve, pasi sipas Beqos, ata kanë vendos korrniza.

“Një nga paragjykimet është se nuk ka dramaturgji shqiptare përtej kornizës së socializmit, gjë e cila nuk është e vërtetë. Ka vepra që janë shmangur qëllimisht për këtë arsye.”

Tashmë në çdo sallë të Metropolit po punohet për shfaqjet që do të jenë pjesë e Metrofestit në fillim të muajit tetor./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!