Pavarësisht tragjedive të vazhdueshme që i kanë ndodhur në jetë, familja e famshme amerikane Kennedy duket e vendosur të mos tërhiqet nga skena politike. Joe Kennedy i Treti, nip i Robert Kennedy-t, ka shprehur ambicien për të garuar për Senatin në vitin 2020.
Një tjetër anëtar i klanit Kennedy mund të zbresë në fushë dhe të synojë Senatin amerikan. 38-vjeçari Joe Kennedy i Treti, nip i Robert Kennedy, po shqyrton mundësinë për të sfiduar në zgjedhjet e 2020-s senatorin demokrat të shtetit Masaçusets, Ed Merkej.
Lajmin e bën të ditur “Nju Jork Tajms” që citon disa burime konfidenciale, sipas të cilave vendimi do të merret së shpejti. Sipas tyre, Joe Kennedy është i interesuar për Senatin dhe ka tashmë shumë mbështetës që e përkrahin.
Gjithashtu, në rrjetin social Facebook është hapur para pak ditësh profili i një grupi të quajtur “Hidhu në garë, Xho”, ku mbështetësit shpjegojnë se Senati amerikan ka nevojë për një lider aktiv dhe progresist, për t’u përballur me taktikat e liderit të republikanëve, Mitch Mçonell.
Nëse fiton garën me Merkej, Joe do të jetë Kennedy i katërt që shërben në Senat, pas parardhësve të tij Robert, John dhe Ted Kennedy. Mediat amerikane shkruajnë se një përballje eventuale mes dy ligjvënësve të Masaçusetsit do të ishte gara e profilit më të lartë në radhët e demokratëve dhe njëkohësisht një test për atë që njihet si garda e vjetër e partisë.
Gjithashtu, kontesti do të kthehej në një lloj “larjeje hesapesh” mes pasardhësit të një prej familjeve më të famshme amerikane dhe një prej figurave politike të instaluara prej më shumë se 4 dekadash në politikën e Masaçusetsit./ABC News Albania 24/7