Joe Biden mund të jetë presidenti më pro emigrantë pas Reagan

schedule11:54 - 21 Janar, 2021

schedule 11:54 - 21 Janar, 2021

Nga Krish O’ Mara Vignarajah, The Hill

“Ne e udhëheqim botën, sepse ne mbrojmë popullin dhe forcën tonë – nga çdo vend dhe çdo cep i botës … Nëse ndonjëherë do të mbyllnim derën për të rinjtë amerikanë , udhëheqja jonë në botë do të humbiste”.

Këto fjalë nga fjalimi i fundit i Presidentit Regan janë në kontrast me katër vitet e fundit të luftës kundër imigracionit dhe demonizimin e vazhdueshëm të  presidentit Trump.

Në vend të kësaj, vendi ka parë një president republikan që shfrytëzoi çdo mundësi që kishte për të mbyllur dyert e kombit  për ata që kërkojnë mbrojtje dhe një jetë më të mirë.

Në anën tjetër të korridorit, Presidenti i zgjedhur Joe Biden pritet të dërgojë legjislacion në Kongres brenda ditëve të tij të para të marrjes së detyrës në kuadër  të reformës së imigracionit, duke përfshirë një rrugë drejt shtetësisë për afërsisht 11 milion emigrantë që janë në vend pa status ligjor.

Në një intervistë me Univision, Zëvendës Presidentja e zgjedhur Kamala Harris, vajza e dy emigrantëve, citoi se do të miratonte dispozitat e tjera kryesore të projekt-ligjit, duke përfshirë Green Card për emigrantët me status të përkohshëm (TPS) dhe programin DACA, i cili ka mbrojtur nga deportimi qindra mijëra migrantë të sjellë në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara kur ishin të mitur.

Që nga periudha e  Reagan, kombi nuk ka parë një qasje kaq njerëzore, pragmatike ndaj imigracionit. Akti për Reformën dhe Kontrollin e Imigracionit i vitit 1986 u dha statusin ligjor gati 3 milion njerëzve që ishin në vend pa dokumenta.

Ndërsa ligji nuk adresonte drejtpërdrejt statusin e fëmijëve të migrantëve pa dokumenta të cilët kishin të drejtë për këtë program amnistie, Reagan përdori autoritetin e tij ekzekutiv menjëherë për të legalizuar statusin e tyre, duke mbrojtur rreth 100,000 familje  nga deportimi.

Në të njëjtin vit, Reagan gjithashtu nënshkroi Aktin e Emergjent  Mjekësor dhe Punës Aktive, i cili ndalon që spitalet të mohojnë shërbimet e kujdesit urgjent bazuar në statusin e imigracionit.

Ndërsa vendi ka kaluar  një vit pandemie të vështirë, sigurisht që ka mësime për të marrë nga e kaluara – dhe duket se Biden i ka mësuar. Administrata e tij  do të marrë masa për të siguruar drejtën e shpërndarjes së  vaksinave pavarësisht nga statusi i imigracionit dhe përfshijnë taksapaguesit e padokumentuar në lehtësimin e stimulit ekonomik.

Kjo lëvizje do të njihte rolin e madh të emigrantëve ilegalë që kanë ndihmuar Amerikën të përballojë pandeminë – 74 përqind e tyre punojnë në funksione thelbësore.

Biden gjithashtu ka shprehur angazhimin e tij të qartë për të mirëpritur më shumë refugjatë dhe për të rivendosur reputacionin e Shteteve të Bashkuara si një udhëheqës humanitar në botë – ashtu si Reagan, i cili i dha statusin mbi 200,000 refugjatëve vitin e tij të parë në detyrë, dhe gjatë dy mandateve të tij, më shumë se çdo president tjetër në historinë amerikane.

Pas katër viteve të sulmeve të vazhdueshme nga Trump, do të jetë një sfidë e jashtëzakonshme për të arritur qëllimin e Biden për të mirëpritur 125,000 refugjatë këtë vit.

Sidoqoftë, Biden është i gatshëm të zgjidhë në mënyrën më të mirë këtë çështje, pasi ka ripohuar angazhimin e tij pas zgjedhjeve . Biden gjithashtu ka përdorur autoritetin ekzekutiv për politikën e imigracionit.

Shefi i Shtabit të ardhshëm të Biden, Ronald Klain  tregoi se administrata e re do të rrëzojë dekretin për ndalimin e  myslimanëve që vendosi Trump dhe brenda javës së parë, do të fillojë ribashkimin e familjeve që janë ndarë në kufi.

Pra nga të gjitha indikacionet, Biden ka demonstruar pikëpamjen e tij të përbashkët për atë që Reagan admironte kaq shumë për emigrantët:

“Ata besojnë në ëndrrën amerikane. Dhe sigurisht, ata e bëjnë për veten, për fëmijët e tyre dhe për të tjerët. Ata japin më shumë sesa marrin. Ata punojnë dhe kanë sukses.

Dhe shpesh ata janë sipërmarrës. Por kontributi i tyre më i madh është më shumë sesa ekonomik, sepse ata e kuptojnë në një mënyrë të veçantë se sa e mrekullueshme është të jesh amerikan ”. Përktheu Sonila Backa/abcnews.al