Joe Biden ka ftuar Lulën të vizitojë Uashington në fillim të shkurtit, sipas një komunikate të përbashkët për shtyp të lëshuar pas bisedës telefonike të presidentit amerikan me homologun e tij brazilian ditën e djeshme.
Presidenti amerikan tha se Luiz Inacio Lula da Silva ka “mbështetjen e palëkundur të SHBA-së për demokracinë braziliane” , një ditë pas sulmit të mijëra mbështetësve të ish-presidentit të ekstremit të djathtë Jair Bolsonaro.
Kjo bastisje u kujtoi shumë njerëzve sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitol nga mbështetësit e ish-presidentit amerikan Donald Trump. Përveç kësaj, Biden është nën presion edhe nga anëtarët e demokratëve, pra partisë së tij.
“Bolsonaro nuk duhet të jetë në Florida,” tha për CNN deputeti demokrat Joaquin Castro.
“Shtetet e Bashkuara nuk duhet të jenë një strehë për këtë lider autoritar që frymëzoi terrorizmin e brendshëm në Brazil. Ai duhet të kthehet në Brazil”, shtoi ai.
Pikëpamje të ngjashme shprehu edhe demokratja Alexandria Ocasio-Cortes. “SHBA-ja nuk duhet të strehojë Bolsonaron në Florida. Pothuajse dy vite pasi Kapitoli i SHBA-së u sulmua nga fashistët, ne po shohim grupet fashiste jashtë vendit që përpiqen të bëjnë të njëjtën gjë në Brazil”, shkroi ajo në Twitter.
/abcnews.al